Gjykata: Rrjedhja e ujit në banesë shkas i tentimvrasjes në Dardani

Rrjedhja e gypave të ujit ishte shkak i një mosmarrëveshjeje me dy komshinjëve në Prishtinë që përfundoi me të shtëna.

Gjykata Themelore e  Prishtinës, i shqiptoi dënim me burgim prej 1 vit e gjashtë muajve, të pandehurit Enver Bashollit, i cili akuzohet se pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin Gani Hashani, për shkak të rrjedhjes së gypave të ujit në banesën e tyre, me dashje që ta vrasë ka shtënë dy herë me revole në drejtim të të dëmtuarit.

Lidhur me këtë ngjarje, prokuroria Enver Basholli e ka akuzuar për veprën penale të vrasjes në tentativë, por pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor trupi gjykues të njëjtit ja kishte ricilësuar veprën penale nga vrasje në tentativë në lëndim të rëndë trupor.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu Selimaj, të akuzuarit i shqiptoi edhe dënim me gjobë prej 500 eurove për veprën penale të armëmbajtjes.

Arma me të cilën pretendohet se është kryer vepra penale do t’i konfiskohet e po ashtu i akuzuari është i detyruar që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale, shumën prej 50 eurove e cila do të shkoj për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës së prokurorisë i pandehuri Enver Basholli  në korrik  të vitit 2017, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, pas mosmarrëveshjes paraprake dhe fjalosjes në mes të pandehurit  Gani Hashani, për shkak të rrjedhjes së gypave të ujit në banesën e tyre, i pandehuri Enver Basholli, me dashje që ta privoj nga jeta ka shtënë dy herë me revole, në drejtim të të dëmtuarit, ndërsa ka vënë në rrezik të dëmtuarën – dëshmitaren Teuta Krasniqi- Hashani.

Gjithnjë sipas aktakuzës i dëmtuari Gani Hashani është qëlluar një herë dhe si pasojë ka pësuar plagë në regjionin e parakrahut të dorës së djathtë e shoqëruara me thyerje të pjesës së sipërme të radiusit,  i shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës, ku me këtë ka kryer veprën penale, vrasje e rëndë në tentativë.

Në aktakuzë thuhet se prej vitit 2016 Basholli, në shtëpinë e tij në fshatin Samadrexhë, Komunë e Vushtrrisë, ka mbajtur në pronësi armë pa leje,  të cilën e ka përdorur në ketë ngjarje dhe sipas Prokurorisë me këtë veprim  ka kryer edhe veprën penale të mbajtjes në kontroll, posedim të pa autorizuar të armëve.