Azem Syla te Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Azem Syla Mbërrin në Gjykatë

Deputeti i PDK-së Azem Syla, i riarrestuar sot, ka mbërritur në Pallatin e Drejtësisë.

Në pallat Sylën e kanë sjellë policët civilë të EULEX-it.

Syla bashkë me avokatin e tij Tomë Gashi po qëndrojnë në korridorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në pritje për të hyrë në sallën e gjyqit.

Sot mund të ketë seancë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Sylës, por ajo nuk do të fillojë pa përfunduar seanca ndaj Fatmir Limajt, pasi gjyqtare e procedurës paraprake në rastin Syla dhe kryetare e trupit gjykues në rastin Limaj është e njëjta gjyqtare e EULEX-it-Jennifer Seal.

Azem Syla u riarrestua sot, tri javë pasi ishte liruar nga paraburgimi.

Avokati i tij Tomë Gashi tha se arrestimi i Sylës është bërë me arsyetimin se “ka tentim të ndikimit në njërin prej dëshmitarëve të mbrojtur”.

Riarrestimin e Sylës e konfirmoi edhe EULEX-i pa dhënë detaje për arsyet e këtij veprimi.

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla, deputet i PDK-së dhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë dhe Llapnasellë.

Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Në aksionin e prillit u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet edhe ish-deputeti Azem Syla, i cili u dorëzua në polici dy ditë më vonë.

http://kallxo.com/arrestohet-azem-syla-tri-jave-pas-lirimit/