AKP-ja ndalon hapjen e lokalit të striptizit në Hotelin Grand

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka ndaluar hapjen e një lokali të striptizmit në Hotelin Grand në Prishtinë, vendim që u morr në mbledhjen e bordit të drejtorëve.

Pronari i ‘Shqiponja Strip Club’, Dodë Rica kishte fituar tenderin publik, si ofertuesi me çmimin më të lartë, për të marrë hapësirë me qera në Hotelin Grand, ku ishte paralajmëruar hapja e lokalit të striptizmit.

Dodë Rica për KALLXO.COM, ditë më parë ka konfirmuar hapjen e këtij lokali në Prishtinë, por pa bërë të ditur lokacionin.

“Po do të hapet, por ende nuk e di ku”, kishte  thënë shumë shkurtimisht Rica në përgjigjen e tij.

Ndërsa, AKP-ja përmes një komunikate për media ka konfirmuar që është anuluar kontrata e qirasë, pas shqetësimeve të shfaqura në opinionin publik.

“Bordi i Drejtorëve, me kërkesë dhe rekomandim të menaxhmentit, vendosi që ta anuloj këtë kontratë të qirasë, në mënyrë që të parandalohen aktivitete të tilla që sjellin shqetësim tek qytetarët dhe opinionit publik”, thuhet në komunikatën e AKP-së.

‘Shqiponja Strip Club’, lokal nate në Agjencinë e Regjistrimit të Bizniseve është e regjistruar si biznes që merret me aktivitete të argëtimit, rekreacionit dhe shfaqjeve artistike.

AKP-ja thotë se pas shqetësimeve që janë shfaqur dhe njoftimeve që kanë ardhur në AKP në lidhje me veprimtarinë e mundshme në hapësirën e ndërmarrjes shoqërore,  ka kërkuar që ofertuesi më i lartë,  të tregoj për llojin e veprimtarisë që do ta ushtroj në hapësirën e Hotelit Grand.

“Edhe pse AKP nuk ka ndonjë përgjegjësi e as kompetencë ligjore për dhënie të licencave apo lejeve për veprimtari biznesore, Agjencia Kosovare e Privatizimit siguron opinionin publik se nuk është e gatshme të ofroj hapësirat që i administron për çdo lloj veprimtarie që krijon shqetësim të qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.