Gjykimi për terrorizëm - Foto: KALLXO.com

Tre ekspertë e një dëshmitar okular dëshmuan në gjykimin për terrorizëm

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm Ardian Mehmeti, Valon Shala, Genc Selimi, Musli Hyseni dhe Nuredin Sylejmani, janë dëgjuar tre ekspertë dhe një dëshmitar.

Ekspertët nga balistika, Lutfi Raci dhe Ilir Kukaj, eksperti për dorëshkrime dhe nënshkrime, Feriz Selimaj, si dhe dëshmitari Endrit Dodaj kanë dëshmuar në gjykimin ndaj 5 të akuzuarve për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Bekim Mulolli. Këtij të fundit, lënia në arrest shtëpiak i mundësoi vajtjen e tij në Siri, ku dyshohet t’i jetë bashkuar grupit terrorist. Ai mbeti i vdekur.

http://kallxo.com/vritet-ne-siri-xhihadisti-kosovar-qe-nuk-iu-pranua-pendimi/

Mulolli në vitin 2013 ishte arrestuar në Kosovë nën dyshimin se kishte sulmuar në Prishtinë dy të dëmtuara, misionare të Kishës Katolike që vinin nga Shtetet e Bashkuara.

Prokuroria po ashtu e ngarkonte Mulollin, e aktualisht edhe Nuredin Sylejmanin, për këtë rast.

Lidhur me këtë rast, dëshmitari i sotëm, Endrit Dodaj, tha se nuk i kujtohet data e saktë kur ka qenë duke u kthyer në shtëpi dhe ka dëgjuar disa britma të disa vajzave.

“Nuk me kujtohet data e saktë por kam qenë duke u kthy në shtëpi. E kam parkuar veturën dhe kam dëgjuar disa zhurma te disa vajzave që ndodhen në ndërtesën 10 metra larg. Kam dëgjuar disa grindje, jam afruar dhe kam parë dy persona duke u larguar në drejtim të Parkut të Qytetit. Unë jam afruar dhe i kam parë ato vajzat, të cilat kanë qenë të lënduara pjesërisht në kokë. Kanë dalë edhe banorët e ndërtesës. Kanë qenë shumë të shqetësuara. E di se dikush nga banorët u ka dhënë ujë atyre vajzave. Ato kanë qenë të gjakosura, e po ashtu komunikonin në gjuhë të huaj- angleze”, deklaroi dëshmitari.

Ai theksoi se personat të cilët i ka parë duke ecur kanë qenë të veshur me ‘duksa’ dhe kapela, derisa nuk ka vërejtur nëse kanë pasur ndonjë veturë.

Pas këtij dëshmitari, ndonëse të gjithë të akuzuarit kanë pranuar fajësinë për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, dëshmuan ekspertët e balistikës.

Ndërkaq, eksperti për dorëshkrime e nënshkrime, Feriz Selimaj, tregoi në Gjykatë për një ekspertizë të cilën i ka bërë një fletoreje.

Më së shumti pyetje për ekspertin kishte i akuzuari Ardian Mehmeti, “ditari” i të cilit pretendohet të jetë ekspertuar.

Eksperti Selimaj duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Mehmeti tha se nënshkrimet dhe dorëshkrimet kanë qenë të bëra nga një person.

Këtë e kundërshtoi i akuzuari Mehmeti.

“Unë pretendoj se në këtë ditar nuk ka bërë dorëshkrime dhe nënshkrime vetëm një person, e në të ardhmen do t’i arsyetoj këto thënie”, tha Mehmeti.

Seanca e radhës pritet të mbahet nesër.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link