Foto: Kallxo.com

I akuzuari për terrorizëm: Në Siri shkova pasi i përcolla qëndrimet e imamëve

Ardian Mehmeti njëri nga të akuzuarit për vepra që lidhen me terrorizëm gjatë fjalës përfundimtare të tij tha se në Siri kishte shkuar pasi i ishte rritur interesimi për gjendjen e myslimanëve atje dhe pasi tha se kishte përcjellë “qëndrimet e imamëve dhe Bashkësisë Islame në Kosovë”.

“Sa i përket pjesëmarrjes time në Siri, pasi e gjithë bota ishte e tmerruar nga krimet e Asadit, edhe unë si shumica isha i tmerruar dhe me ishte rritur interesimi edhe më shumë në lidhje me gjendjen e popullit sirian, pasi i kam përcjellë qëndrimet e imamëve ku disa here është ligjëruar dhe është përmendur lufta e Sirisë. Shkuarja ime ka qenë e bazuar edhe në argumente zyrtare te Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe në kohën kur kam shku unë kjo nuk ka qenë e ndaluar apo e rregulluar me asnjë ligj”, tha i akzuauri Mehmeti.

Përveç Mehmetit, në këtë proces për vepra që lidhen me terrorizëm po gjykohen edhe Valon Shala, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni.

Në fjalën përfundimtare, Prokurori special Afrim Shefkiu, deklaroi se është provuar se të akuzuarit kanë organizuar grup terrorist dhe se kanë ndërmarrë veprime përgatitore për sulme terroriste.

“Në bazë të përgjimeve telefonike, regjistrimit të të dhënave, fotografitë, dëshmitë e policisë, të dhënat financiare, bastisjet është vërtetuar gjendja faktike dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor u vërtetua se të pandehurit kërkojnë të blejnë armë dhe sigurojnë disa prej tyre për të kryer sulme ne Kosovë e Maqedoni, andaj kërkoj që të njëjtit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, tha Prokurori Shefkiu.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Valon Shala, avokati Nikë Shala, e kërkoi lirimin e klientit të tij nga akuzat për terrorizëm, dhe dënim nën minimum ligjor për armëmbajtje.

“Me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar teza e aktakuzës se i mbrojturi im ka marrë pjesë në grup apo ka përgatitur vepra terroriste. Për këto pika kërkoj nga gjykata që të japë një aktgjykim lirues ndërsa për armëmbajtje pa leje i mbrojturi im e ka pranuar fajësinë andaj kërkoj nga gjykata një dënim me kusht apo nën minimumin ligjor“, tha avokati Shala.

Sikurse Shala edhe mbrojtësit e tre të akuzuarve të tjerë kërkuan aktgjykim lirues për veprat e pjesëmarrjes dhe përgatitjes së veprave terroriste.

Trupi gjykues në përbërje prej gjyqtareve Naser Foniqi, Hamdi Ibrahimi dhe Agim Kuqi bëri me dije se shpallja e aktgjykimit do të bëhet të mërkurën.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportimet mund t’i gjeni në këtë link.