Revolucioni digjital në Kosovë: Një storie suksesi
Çdo ditë dëgjojmë për teknologjitë e reja dixhitale dhe gjërat që premtojnë. Bota dixhitale mund të zgjidhë shumë probleme dhe shpesh ndodh kështu. Por, shpesh harrojmë se miliarda njerëz nuk e kanë përdorur kurrë internetin. Pse jo? Sepse kurrë nuk pasur qasje në të si fillim. Realiteti i tyre është i ndryshëm.
Shumica e njerëzve pa qasje në teknologjitë dixhitale jetojnë në vendet në zhvillim ku interneti me shpejtësi të lartë është privilegj i lokalizuar gjeografikisht që pakkush mund ta përballojë. Ata që jetojnë larg qyteteve – janë më të shkëputurit. Dhe megjithëse shumica e vendeve kanë një lloj programi për të adresuar këtë mangësi, pak prej tyre janë të suksesshëm.
Por Kosova – një nga vendet më të varfra të Evropës – bënë përjashtim.
Në vitin 2018 Kosova ka filluar të zbatojë Projektin pesëvjeçar të Ekonomisë Dixhitale të Kosovës (KODE) me mbështetjen e Bankës Botërore. Qëllimi i tij ishte i thjeshtë por i fuqishëm: të sigurojë që kosovarët që jetojnë kudo në vend do të kenë qasje të barabartë në mundësitë digjitale, qoftë për punë, arsim, shërbime sociale apo argëtim.
Projekti ka rezultuar i suksesshëm, sot në vitin 2023, pothuajse të gjithë në Kosovë përdorin internet dhe numri i abonentëve të shërbimeve fikse është një nga më të lartët në Evropë.
Programi po ashtu tërhoqi investime të sektorit privat në fshatra ku më parë, pak kishin guxim të investonin. Tani njerëzit po kthehen në fshatra nga qytetet sepse interneti është më i mirë atje.
Lidhja e çdo fshati me internet
Më 21 mars 2023, shkova me makinë në fshatin e largët, piktoresk të Herticës, në verilindje të Kosovës, për të marrë pjesë në një ngjarje që shënoi një arritje të madhe – lidhjen e fshatit të fundit në vend me internetin me shpejtësi të lartë. Në Herticë ishte ftohtë dhe shi, por të gjithë ishin të mbushur me gëzim dhe krenari. Fëmijët e shkollës vraponin me bluxa të zeza ku shkruhej Kosova Connnected, ndërsa politikanët, udhëheqësit e fshatrave dhe operatorët e internetit flisnin të lumtur për këtë arritje.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe qeverisë së bashku shtypën një buton të madh simbolik për të sjellë brezin e gjerë në fshatin e fundit të palidhur në internet në vend.
Si arriti Kosova lidhjen për të gjithë?
Projekti KODE ofroi pagesa të njëhershme të granteve për operatorët e internetit për të ndërtuar rrjetin në fshatra të palidhur. “Lidhja” nënkuptonte se vetëm një pjesë e kostove mbulohej – pjesa tjetër u pagua nga operatorët e internetit. Këtyre rrjeteve të bashkëfinancuara iu kërkua të jepnin internet me shpejtësi të lartë (100 Mbps) në çdo shtëpi, shkollë dhe qendër shëndetësore.
Çmimet ishin gjithashtu të rregulluara—duhej të ishin të njëjta si në qytete. Qeveria u dha grante operatorëve të internetit me zgjidhjet e rrjetit me kosto më të ulët. Konkurrenca ishte e ashpër: Në Kosovë janë më shumë se 60 operatorë, shumë prej të cilëve janë firma vendore. Njëzet e një operatorë fituan të paktën një grant.
Falë konkurrencës, pothuajse çdo grant ishte më i vogël se sa ishte planifikuar, duke çuar në kursime prej 40 për qind. Gjithashtu, shumë grante u dhanë paralelisht, gjë që e çoi më shpejt ndërtimin e rrjetit. Derisa programi arriti në fshatra më të largëta, qeveria ofroi grante më të mëdha për t’i kapur deri në 80 përqind.
Në total, operatorët e internetit kontribuan me 30 për qind të financimit të nevojshëm për të lidhur çdo fshat. Siç më tha një operator, ishin para të shpenzuara mirë. Çdo grant sillte klientë të rinj dhe bëri të mundur punësimin e më shumë njerëzve. Çdo punësim i tillë sjell një punë tjetër cilësore në Kosovën rurale dhe nxit ekonominë lokale.
Fshatrat e largët lulëzojnë me internet
Kur pyeta operatorët e internetit se çfarë e bëri programin të funksiononte, të gjithë thanë se ishte i thjeshtë dhe i shpejtë. Ata gjithashtu thanë se për shkak se dizajni ishte bashkëpunues, të gjithë ndiheshin pjesë e tij. Të gjithë ndanë suksesin e tij. Konkurrenca solli efikasitet në proces- po ashtu ekipi i motivuar dhe i aftë në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës.
Tani, vendi është gati të ecë përpara në frontin dixhital. Teknologjitë e reja për të cilat dëgjojmë çdo ditë do të prekin jetën e të gjithëve në këtë vend të vogël të Ballkanit Perëndimor.
Ky artikull është shkruar nga autorja dhe blogerja Natalija Gelvanovska-Garcia për Bankën Botërore.