Meta: Zuckerberg njoftoi pushime nga puna për 10,000 punonjës të tjerë

Gjysma e dytë e vitit të kaluar u shënua me pushime nga puna në shumë kompani teknologjike. Pas punësimeve masive gjatë pandemisë, situata ndryshoi në një kohë të shkurtër dhe në vend që të hapnin një numër të madh vendesh, kompanitë filluan t’i shkurtojnë ato vende pune. Në disa raste, siç shpjegoi shefi ekzekutiv i C3.ai, Thomas Siebel në një intervistë për Insajderin këtë javë, disa kompani punësuan njerëz edhe pse nuk kishin mjaftueshëm punë për ta, vetëm që të mos merreshin nga kompanitë konkurruese.

Megjithatë, situata po ndryshon tani. Dhe atë në mënyrë radikale. Shembulli më i mirë i kësaj është Meta, e cila pas vitesh rekrutimi masiv dhe investimesh të mëdha në projekte që sigurisht nuk do të jenë fitimprurëse së shpejti, si metaverse, pushoi nga puna më shumë se 11 mijë persona në fund të vitit të kaluar. Mark Zuckerberg mori përgjegjësinë dhe fajin për situatën dhe më pas njoftoi se viti 2023 do të jetë viti i efikasitetit, i cili i referohet maksimizimit të të ardhurave dhe uljes së kostove.

Anulime edhe në departamentin e punësimit

Kjo ulje e kostove nënkupton edhe pushime të reja nga puna dhe sërish flasim për shifra pesëshifrore. Pasi rreth 11 mijë punonjës u pushuan nga puna në fund të vitit të kaluar, këtë javë Meta i njoftoi planet për t’i pushuar nga puna edhe 10 mijë të tjerë. Gjithashtu do t’i ndalojë rekrutimet e planifikuara.

Punonjësit e Meta-s do të mësojnë më shumë detaje në periudhën në vijim, kur udhëheqësit e departamenteve do të shpallin plane ristrukturimi që përveç pushimeve të reja nga puna, përfshijnë edhe anulimin e projekteve më pak prioritare, dhe është interesant fakti se Zuckerberg njoftoi se ka në plan të zvogëlojë numrin. të punonjësve në departamentin e punësimit./Cnet

Përgatiti: Nuhi Shala