Kompania turke e automjeteve Togg e zgjeron linjën e saj të automjeteve elektrike
Fillimi i automjeteve elektrike turke Togg, pas modelit SUV, po e shton një sedan elektrik fastback në linjën e tij të automjeteve. Fastback T10F do të shitet së bashku me modelin debutues të kompanisë – T10X SUV, dhe dizajni u krijua në bashkëpunim me studion ikonë Pininfarina. Turqit po planifikojnë me ambiciozitet t’i vendosin një milion automjete në rrugët evropiane deri në vitin 2032.
Kompania xhonturke është themeluar në vitin 2018 dhe aktualisht e shet një model, vetëm në tregun vendas. Megjithatë, me ardhjen e sedanit luksoz fastback, turqit po planifikojnë të zgjerohen në tregun më të madh evropian – Gjermaninë – nga fundi i këtij viti. Togg gjithashtu planifikon të zgjerohet në tregje të tjera të mëdha evropiane, duke përfshirë Francën, Italinë, Holandën dhe Suedinë. Turqit nuk kanë vendosur një afat kohor për zgjerimin në këto katër tregje, por kanë vendosur një objektiv ambicioz për të vendosur një milion automjete në rrugët e Evropës deri në vitin 2032.
Togg ende nuk i ka bërë të ditura çmimet për T10F, por pritet të jetë në përputhje me modelin SUV, i cili fillon nga 45 mijë euro në modelin bazë, ose 57,320 euro në variantin më luksoz.
Debutimi i sedanit turk me pjesën e pasme moderne fastback u zhvillua në panairin e elektronikës së konsumit në Las Vegas CES 2024. Kjo është paraqitja e tretë radhazi për kompaninë në këtë panair, e cila preferon t’i quajë modelet e saj “pajisje inteligjente”.
Ashtu si SUV-i, fastback-u ka përmasa kompakte dhe të dy modelet janë ndërtuar në platformën e segmentit C (kompakt) të Togg. T10F do të ketë tri variante në ofertë, dy modele me rrota të pasme (RWD) dhe një me lëvizje me të gjitha rrotat (AWD). Modelet RWD ofrojnë një distancë prej 350 ose 600 km, ndërsa distanca e versionit AWD është 530 km. Varianti AWD ofron performancën më të mirë, pasi dy motorët e tij elektrikë zhvillojnë një fuqi prej 320 kW (435 hp), e cila ndihmon T10F të përshpejtojë nga 0 në 100 km/h në 4,6 sekonda. Modelet RWD kanë një motor elektrik të vetëm 160 kW (218 hp) dhe të gjitha variantet kanë një koeficient të ulët të tërheqjes nën 0.23.
Modelet RWD do të ofrohen me bateri me kapacitet 52.4 ose 88.5 kWh, si dhe një bateri më e madhe do të vendoset edhe në versionin AWD. Të tri variantet mund të karikohen nga 20 në 80 për qind në 28 minuta dhe secila mund të përdoret për të fuqizuar nga jashtë pajisje të tjera. Konsumatorët kanë mundësinë të zgjedhin opsionet e pajisjeve V1 ose V2, me V2 që ofron veçori më të avancuara autonome dhe sisteme sigurie, tha kompania./Klix.ba
Përgatiti: Nuhi Shala