Evropa po has në vështirësi për të kaluar tek automjetet elektrike

Vendet evropiane po përpiqen t’i bindin njerëzit të kalojnë nga automjetet me motor me djegie në ato elektrike, paralajmërojnë ekspertët.

Evropa shet sot 10 herë më shumë automjete elektrike sesa vetëm gjashtë vjet më parë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, por flota e saj po pastrohet shumë ngadalë për t’i përmbushur objektivat e saj klimatike. Qeveritë në të gjithë kontinentin po pwrballen me çmimin e automjeteve elektrike, të cilat mund të kushtojnë disa mijëra euro më shumë se sa ato të krahasueshme që djegin lëndë djegëse fosile.

“Ajo që kemi mësuar është se nuk mjafton vetëm ta stimulojmë blerjen dhe pronësinë e automjeteve elektrike”, thotë Julia Poliscanova, analiste në grupin e fushatës Transport dhe Mjedis. “Ju gjithashtu duhet ta dekurajoni blerjen e automjeteve konvencionale në të njëjtën kohë”.

Lëvizja e BE-së drejt automjeteve më të pastra është pjesë e premtimit të saj për ta ulur ndotjen nga ngrohja e planetit me 65% nga nivelet e vitit 1990 deri në fund të dekadës dhe do ta arrijë zero neto deri në vitin 2045. Megjithatë, edhe pse i ka ulur emetimet në sektorin e saj të energjisë, duke i rritur turbinat e erës dhe mbylljen e impianteve të qymyrit, emetimet nga transporti rrugor janë rritur në mënyrë të qëndrueshme në sfond.

Transporti ishte “fëmija problematik” i mbrojtjes së klimës, thotë Christian Hochfeld, udhëheqësi i Agora Verkehrswende, një institut kërkimi për transportin e pastër në Gjermani. Për shkak se shumica e alternativave ndaj automjeteve kërkonin kohë dhe para për t’u ndërtuar, kalimi i plotë në automjetet elektrike ishte “çështja më kritike” për reduktimin e emetimeve në dekadën e ardhshme, thotë ai.

BE planifikon t’i ulë emetimet e automjeteve me 55% nga nivelet e vitit 2021 deri në fund të dekadës dhe në zero deri në vitin 2035. Megjithatë, klientët ngurrojnw nga çmimi i lartë paraprak i automjeteve elektrike, edhe nëse ato paguajnë në të ardhmen përmes kostove më të ulëta të funksionimit.

Për të ndihmuar kundër kësaj, vendet në të gjithë Evropën u ofrojnë klientëve stimuj financiarë për të blerë automjeteve më të pastra. Sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automobilave (ACEA), 21 nga 27 shtetet anëtare të BE-së ofrojnë lehtësira tatimore kur blejnë një automjet me karbon të ulët, ndërsa 20 ofrojnë para për të ndihmuar me blerjen.

Rumania ofron deri në 11,500 euro për njerëzit që blejnë një automjet elektrike. Belgjika ka stimuj për automjeteve e kompanisë, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të shitjeve të automjeteve të saj të reja dhe shërbejnë si një tubacion për tregun e dorës së dytë që më shumë njerëz mund ta përballojnë. Italia dhe Spanja kontribuojnë në koston e infrastrukturës për t’i karikuar automjetet elektrike. Franca ofron një bonus blerjeje prej 5,000 € dhe i përjashton automjetet elektrike nga gjobat në bazë të peshës.

“Nuk është perfekte, por ajo që francezët po bëjnë po shkon vërtet në drejtimin e duhur”, thotë Poliscanova.

Në një përpjekje për t’i bindur familjet më të varfra të përdorin automjete elektrike, Franca ka njoftuar planet për një skemë të qiradhënies sociale që do t’i lejonte “ata që kanë nevojë më shumë” të marrin me qira një automjet elektrik për 100 euro në muaj. Qeveria është veçanërisht e kujdesshme ndaj politikave të gjelbra që i rrisin kostot për familjet më të varfra pasi një përpjekje për të rritur taksat e karburantit në vitin 2018 shkaktoi trazira të gjera dhe nxiti lëvizjen protestuese të “jelekëverdhëve”.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili trumbetoi skemën e lartcekur përpara zgjedhjeve vitin e kaluar, ende nuk ka përcaktuar një plan konkret se si do të funksionojë. Mirëpo sinjali politik tashmë i ka inkurajuar disa prodhues francezë të automjeteve që të lëvizin drejt automjeteve elektrike të vogla dhe të lira, në vend të atyre të rënda dhe të shtrenjta, thotë Poliscanova.

Ndërkohë, në Gjermani, qeveria i ka shkurtuar subvencionet për automjetet elektrike, pasi numri i njerëzve që i blejnë ato është rritur.

“Nuk është e qëndrueshme të jepen subvencione aq të larta sa ne në të kaluarën”, thotë Hochfeld, “dhe gjithashtu nuk është e drejtë shoqërore sepse të gjithë në Gjermani – çdo tatimpagues – paguajnë për këtë tranzicion, edhe nëse nuk e kanë një automjet”.

Gjermania është ndotësi më i madh dhe tregu i automjeteve në Evropë. Ndërkohë që e takson pronësinë e automjetit dhe ofron një përjashtim për automjetet elektrike, ai nuk takson blerjen e automjeteve, pikën në të cilën konsumatorët vendosin nëse do ta blejnë automjetin.

Do të ishte më e drejtë të tatohen automjetet në pikën e blerjes dhe të subvencionohen automjetet elektrike përmes kësaj, thotë Hochfeld.

“Pse duhet të paguajë një infermiere automjetin elektrik të një dentisti… i cili është në gjendje të blejë një SUV të madh me subvencione? Kjo nuk është e drejtë. Por nëse avokati që blen një automjet me motor me djegie do të paguante për dentistin që blen një automjet elektrik? Unë do të thoja që është në rregull”.

Marc Lüers, drejtor menaxhues i tregut online Carwow, thotë se tregu gjerman i automjeteve ishte “përmbysur” që nga lufta në Ukrainë, me kërkesën për automjete elektrike në veçanti duke vuajtur nga rritja e inflacionit dhe rënia e subvencioneve.

Përveç çmimit të automjetit, shtoi ai, “dy shqetësimet më të mëdha të blerësve të automjeteve elektrike në Gjermani janë tarifimi i infrastrukturës dhe çmimi i energjisë elektrike”.

Vetëm shtatë vende të BE-së ofrojnë stimuj për tarifimin e infrastrukturës, sipas ACEA.

Për ta rritur përdorimin e automjeteve elektrike, numri i politikave të ndryshme ka rëndësi si dhe cilësia, thotë Gracia Brückmann, studiuese e energjisë në Universitetin e Bernës.

Në Norvegji, për shembull, ku 9 në 10 automjete të reja të shitura janë elektrike ose hibride, qeveria ka dfhwnw një sërë stimujsh për automjetet elektrike qysh në vitet 1990, të cilat më vonë i hoqi nga përdorimi. Përveç lehtësimit të taksave, qeveria ofroi parkim falas, qasje në traget dhe të drejtën për të vozitur në korsitë e autobusëve.

Kjo i ndihmoi qeveritë ta gjenin përshtatshmërinë e duhur për çdo person, thotw Brückmann. “Sa më shumë politika të keni në fuqi, aq më të ulëta janë emetimet totale të flotës së automjeteve tuaja me kalimin e kohës.”/The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala