'Facebook News' tani i disponueshëm në gjithnjë e më shumë vende

Që nga e marta, Facebook do të ofrojë shërbimin “News Feed” për përmbajtjen e lajmeve në Francë, Facebook News, i cili do të garantojë shikueshmëri më të mirë të mediave dhe do t’i përgjigjet akuzave për dezinformim kundër rrjetit social.

Shërbimi fillimisht do të kufizohet në një numër të vogël përdoruesish francezë të Facebook.

Ai duhet të shtrihet për të gjithë përdoruesit në Francë deri në muajin maj, tha Meta, kompania amerikane që e ka në pronësi rrjetin social në fjalë.

Franca bëhet kështu vendi i pestë që hap Facebook News, pas Shteteve të Bashkuara në fund të vitit 2019, Mbretërisë së Bashkuar në janar të vitit 2021, Gjermanisë në muajin maj dhe Australisë në muajin gusht.

“Përveç lajmeve klasike në Facebook, Facebook News është një vend ku do të transmetohen vetëm informacione nga burime të verifikuara”, sepse do të prodhohet nga media reale, tha për AFP Jesper Doub, drejtor i partneriteteve me mediat për Evropën në Meta.

Lansimi i “Facebook News” në Francë është bërë i mundur falë nënshkrimit të një kontrate në parim me Shoqatën e Medias së Informacionit të Përgjithshëm (APIG), të cilën Facebook e raportoi në muajin tetor.

Sipas kësaj marrëveshjeje, botuesit francezë të gazetave ditore do ta marrin një tarifë për përdorimin e përmbajtjes së tyre për dy vjet.

Falë marrëveshjes, shumë të përditshme kombëtare dhe rajonale do të përfshihen në Facebook News, duke përfshirë Le Parisien /Aujourd’hui en France, Le Figaro, Le Journal du Dimanche, Les Echos dhe të tjera./N1