Teatri kosovarë nën kthetrat e klaneve, nepotizmit e politikës

Skena teatrore në vend po përballet me një krizë të thellë të zhvillimit të saj, e cila ka përfshirë të gjithë segmentet e fushës së teatrit.

Më të dëmtuar nga kjo krizë po dalin të jenë institucionet teatrore në mbarë vendi, sidomos ato profesionale dhe në veçanti Teatri Kombëtar.

Pak politika dhe më shumë komuniteti teatror kosovarë, i cili është skajshmërisht i klanizuar dhe shumë nepotist janë duke mbajtur peng funksionimin normal të institucioneve teatrore në vend.

Mbi të gjitha është infrastruktura ligjore ajo që e bën edhe më anarkike skenën teatrore në vend, që më shumë pengon ecurinë përpara të teatrove, se sa i ndihmon ato.

Këto konkludime dolën të premten, më 30 nëntor 2018, gjatë konferencës shkencore, “Teatri, mes artit dhe politikës”, që u mbajt në Institutin Albanologjik të Prishtinës në drejtimin e regjisores Elmaze Nura.

Në dy sesionet e konferencës “Ndikimi i politikës në kulturën teatrore nacionale dhe në identitetin e saj”, dhe “Autonomia krijuese, estetika teatrore dhe politikat administrative” u prezantua kumtesa nga krijues dhe kritik të teatrit të cilët potencuan pengesat dhe problemet me të cilat sot përballet teatri në Kosovës.

Fajtorët e krizës

Elmaze Nura drejtoreshë e konferencës ka thënë në të tjerash se një organizim i tillë ka për qëllim të trajtojë disa nga problemet me të cilat përballen dhe pengohen teatrot tona.

“Kjo konferencë synon që të rris përkrahjen teatrin duke u shndërruar në një mekanizëm të fortë lobues në favore të artistëve tanë”, ka thënë ajo duke shtuar se konkluzionet dhe rekomandimet që do të dalin nga kjo konferencë t`i përcjellën Ministrisë së Kulturës.

Ndërkaq dekani i fakultetit të Arteve të UP-së, Agim Selimi ka thënë gjatë fjalës së tij se politika nuk mund të përjashtohet nga teatri, mirëpo duhet ketë politika zhvillimore dhe jo arti të prodhojë politikë.

Sipas tij, konstatimi se teatri është i politizuar nuk qëndron, por siç ka thënë ai teatri është i klanizuar.

“Unë mendoj se teatri kryesisht është i klanizuar, jo i politizuar, sepse klane të ndryshme mundohen të gllabërojnë hapësirat krijuese”, ka pohuar ai, duke shtuar se teatri duhet të krijohet edhe nëpër qytetet kosovare, që në të ardhme të krijohet teatri kombëtar.

Selimi ka thënë se teatri duhet të krijoj një identitet kombëtar që ende nuk është krijuar, ndërsa ka veçuar kontributin që mund të japin teatrot e rretheve në zhvillimet skenike në vend.

Më i ashpër është treguar kritiku Reshat Sahitaj, sipas të cilit, politika ka gllabëruar tërësisht kulturën në vend dhe në veçanti teatrin, përmes ndikimit politik.

Ai ka thënë se kriza që ka kapluar teatrin zanafillën e vet e ka që nga pas lufta e cila është thelluar pas 2008, siç ka thënë ai, nga ku teatri dhe kultura janë fundosur në tërësi.

“Ai ka thënë se politika sot përkrah pseudovlera, shfaqje teatrore dhe seriale ‘debile’.

Personazhet e atyre shfaqjeve na paraqiten me probleme psikike”, ka thënë ai.

Ndërsa ka kritikuar edhe vetë komunitetin kulturorë duke thënë se ata janë mjaft të politizuar dhe i ndërrojë partitë sa herë që bëhen rrotacione politike në qeverisje me qëllime zhvatje të parasë publike.

Drejtori i teatrit të Podujevës “Avdush Hasani”, Agron Gërguri ka thënë se ligji aktual është fajtori kryesor që sot, kemi një gjende të tillë në teatrot në vend.

“Me një ligj të tillë i cili më shumë e pengon se sa e ndihmon funksionimin e teatror nuk është çudi që kemi një situatë të tillë”, ka thënë ndër të tjerash ai.

Fadil Hysaj, regjisor, ka thënë se mënyra se si trajtohen teatrot kosovare, sidomos në aspektit financiar flet për një gjenocid kulturor.

“Shqiptaret nuk kanë një histori të mirë të politikave kulturore andaj kanë përfunduar këtu ku janë, duke mos e dashur kulturën dhe nuk e kultivojnë si ushqim shpirtëror”, ka thënë ai.

Arti, politizimi dhe identiteti

Ndërkaq aktori Mentor Zymberaj, profesor në FA të UP-së, duke folur rreth Identitetit kulturor dhe nacional, mbi konceptin e artit mes politikës, ka thënë se shoqëria jonë ka bërë pak për të krijuar identitetin tonë duke shfrytëzuar asete apo pasurinë edhe trashëgiminë kulturore që kemi, sidomos të personaliteteve tona.

“Në bëjmë pak për të vërtetën tonë dhe përditësuar atë përmes artit, pavarësisht se kemi shumë mundësi për të shfrytëzuar për të krijuar identitetin tonë”, ka thënë ndër të tjerash Zymberaj.

Kurse aktorja Drita Begolli, profesoreshë në FA të UP-së ka pohuar se kultura politike është peng i politikave tjera në politikëbërjen në vend.

Ajo ka thënë se institucionet fare pak janë treguar të gatshme të mbështesin dhe të krijojnë politika për zhvillimet kulturore në vend.

“Pse ne nuk mund të krijojnë një identitet nacional kulturore sikurse vendet tjera, sepse nuk kemi vëmendje institucionale, sepse krijuesi ynë nuk ka kontiunitet krijues”, ka pohuar ajo.

Për problemet e teatrove në rrethe kanë folur përfaqësues nga Peja dhe Gjilani, të cilët prezantuan problemet e teatrove të rretheve, dhe sugjerimeve për të dalë nga gjendja e vështirë.

Ndërkaq, Feim Hoxha, shef i Departamentit ligjor në MKRS dhe ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Kulturës, ka premtuar ndihmën e MKRS-së për të përkrahur teatrin në vend, sidomos sa i përket legjislacionin, por edhe aspektit financiar.

“MKRS ka nisur planifikimin e politika të reja për fushën e teatrit dhe janë evidentuar problemet në ligjin aktual për teatrot dhe qysh në fillim të këtij viti ministria ka hartuar një koncept dokument, ku janë evidentuar të metat, prandaj edhe MKSR ka formuar një ekip i cili do të zgjedhohet për hartimin e ligjit të ri për teatrot”, ka thënë ai.