‘Koprraci’ muajin ardhshëm premierë në  Teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj

Teatri i Qytetit të  Ferizajt, “Adriana Abdullahu” ka nisur punët për inskenimin e shfaqjes “Koprraci” të komediografit francez, Molierit dhe regji të Elmaze Nurës.

Premiera e kësaj shfaqje pritet të jepet në mes të muajit prill 2019.

Harpagoni është kryepersonazhi i shfaqjes, koprrac, një person egoist që grumbullon para sa më shumë të jetë e mundur. Asnjë shumë parash nuk do të jetë mjaft e madhe për të që ai të mjaftohet.

Ai është gjithmonë paranojak, gjithmonë në prag të shndërrimit totalisht në një njeri të pandjeshëm nga dashuria e tij për para.

Për regjisoren Nura, “Koprraci” është një komedi e cila sa prek fenomene që aq sa na shqetësojnë, aq edhe na bëjnë të argëtohemi dhe përmes së qeshurës reflektojmë mbi modelet që duhet të ndjekim në rrugën tonë të mëtejshme.

Në shfaqjen “Koprraci” krahas temës se koprracisë, regjisorja Nura, i kushton rëndësi të madhe edhe trajtimit të dashurisë dhe lakmisë.

“Edhe pse një ndër veprat më të mira të klasicizmit, “Koprraci” i flet kohës dhe mentalitetit tonë në të gjitha nivelet. Lajkat dhe lajkatarët, i takojmë çdo ditë, dhe në këtë vepër ky është fenomen”, ka potencuar regjisorja Nura.

Shfaqja ‘Koprraci” është njëra prej 4 premierave që këtë vit Teatri “Adriana” synon t’i realizojë, prodhime këto që financohen drejtpërdrejt nga Komuna e Ferizajt.