Të dielën 'Mirandolina' në Teatrin ‘Istref Begolli’

Teatri “Istref Begolli” i qytetit të Pejës shfaq këtë të diele, më 16 qershor 2019, premierën e shfaqjes “Mirandolina” të  autorit të njohur italian Karlo Goldon me regji të Elmaze Nurës.

Shfaqja do të jepet në mbrëmje duke filluar nga ora 20:00,  ndërsa është përgatitur dhe shfaqet  enkas me rastin e Ditës së Çlirimit të qytetit të Pejës

Edhe pse vepra është shkruar që në shek. XVIII,  dhe është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në 1752, ajo përcjell mesazhe emancipuese dhe i flet realitetit tonë.

Përmes kësaj drama Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve dhe në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, e ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale.

“Mirandolina” njëkohësisht është apel për emancipim dhe sjellë  mesazhe pa fund dhe secili spektator shikon diçka nga vetja, që është e mishëruar tek karakteret e veprës, si tradhtia, xhelozia, dashuria, etj.

“Përmbajtja e komedisë sjell situata të këndshme humori dhe me konceptin tim regjisorial, bashkë me trupën e Pejës, jemi duke bërë një shfaqje me vlera të larta artistike dhe të pëlqyer nga publiku”, u ka thënë e Nura.

Muzikën e shfaqjes  e ka bërë Gëzim Hasani, skenografinë Dhurim Ismajli, ndërsa  kostumet nga Alma Krasniqi.