Zyrtare: Bujar Loci trajner i Rahovecit

Klubi basketbollistik Rahoveci sot ka njoftuar se ka emëruar trajnerin e ri.

Rahoveci ka ndarë rrugët me trajnerin Marjan Ilievski, i cili nuk arriti t’i arrijë sukseset e parapara nga klubi.

Vreshtarët nuk kanë humbur kohë duke emëruar trajnerin e ri.

Trajner i ri i vreshtarëve është Bujar Loci.

Loci edhe më herët ka qenë trajner i Rahovecit duke e dërguar këtë skuadër dy herë në finale. Ai ishte pjesë e skuadrës së Prishtinës prej nga është larguar.

“Synonim një rrugëtim së bashku, por udhët tona ndahen këtu. Jo pse ne vendosëm një gjë të tillë, por këtë e kërkoi vetë Ilievski. Ndonëse i plotësuam kërkesat që pati, fati nuk ishte me të në këtë aventurë dhe vendosi të mbyllë këtu. Ne e falënderojmë për gjithë mundin e tij për të arritur sukses. Bujar Loci ndërkaq është vendosur si pasues i tij. Më i miri i mundshëm. Loci për dy vjet, me kapacitet edhe më të vogla arriti të dërgonte skuadrën tonë dy herë në finale. Shpresojmë se hera e tretë do të jetë e vërtetë këtë stinor”, thuhet  në komunikatë të Rahovecit.