VIDEO - Dy sallat sportive shfrytëzohen për vaksinimin, Federata e Basketbollit kërkon lirimin e tyre

Sezoni i ri në basketbollin kosovar do të nisë më 1 shtator me Superkupën e Kosovës, kurse Superliga, Liga e Parë dhe kategoritë e reja priten të nisin kah mesi i shtatorit.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se janë të gatshëm për fillimin e sezonit të ri.

Fetahu ka treguar se e kanë një problem të madh, pasi dy prej tetë palestrave i kanë të zëna me qenra të vaksinimit.

“Sa i përket FBK-së, ne jemi të gatshëm për atë që na pret për këtë stinor që na vjen, kemi pasur një verë të gjatë dhe të vështirë, për shkak të gjitha angazhimeve të cilat i kemi pasur, jemi përgatit ne jemi gati. Ajo që është brengë më e madhe për neve është fakti që dy prej tetë palestrave i kemi të zëra me vaksinim që është duke zhvillu, megjithëse kemi pasur premtime që do të lirohen më 15 gusht një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë Arben Fetahu.

Ai ka treguar se palestrat “Sezai Surroi” në Prizren dhe ajo “Bashkim Selishta” në Gjilan, vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe është brengosëse për Federatën e Basketbollit të Kosovës.

“Në Gjilan dhe Prizren, palestrat vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe kjo është shumë brengosëse për ne. Unë isha në Gjilan dhe e diskutuam me kryetarin e komunës mundësinë sesi të dalim nga kjo situatë, por do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, sepse vendimet nuk merren nga autoritetet komunale apo klubet tona, por nga niveli qendror. E vërteta është që ne i kemi shkru nuk i ka dy muaj prej momentit që janë zënë palestrat, kemi kërku që të gjinden rrugë alternative, por ende një gjë e tillë nuk ka ndodhur për këto dy qytete dhe kjo është brenga kryesore për ne për momentin”, tregon ai.

Fetahu shpreson që këto dy palestra të jenë të hapen për aktivitetet sportive deri më 1 shtator, në të kundërtën duhet të gjejnë alternativa tjera për klubet nga Prizreni dhe Gjilani.

“Në këto dy qytete luajnë tri prej tetë ekipeve të Superligës, në Prizren luajnë edhe pesë ekipe tjera, vetëm seniore, lere më çka i kemi edhe grup moshat e reja. Po shpresojmë fuqishëm që më 1 shtator do të lirohen edhe ato, ndërkohë unë kam qenë në kontakt edhe me MKRS-ën, në javën e kaluar dhe do të përpiqemi që të gjejmë një rrugë alternative për klubet që vijnë nga qytete në rast se nuk ndodh hapja e këtyre palestrave më 1 shtator”, tregon ai.

Klubet e basketbollit nga këto dy qyteteve janë duke i zhvilluar ushtrimet në palestrat e shkollave, të cilat kanë dimensione më të vogla dhe nuk janë të përshtatshme për zhvillimin e lojës së basketbollit.

“Stërvitjet deri tashmë janë duke u zhvillu në palestra të shkollave dhe kjo është brengosëse, për shkak se dimensionet e palestrave të shkollave nuk janë të përshtatshme për zhvillimin e lojës së basketbollit. Nuk janë të mjaftueshme, zakonisht palestrat e shkollave kanë dimensione edhe më të ngushta edhe më të shkurtëra që do të thotë se kur dalin këta lojtarë pas 20 stërvitjeve në palestër të shkollës në terren të madh do t’iu duket se luajnë në një botë tjetër, kur dalin në dimensione të sakta të basketbollit 28 me 14”, ka zbuluar i pari i FBK-së për KALLXO.com.

Kryetari i FBK-së, ka treguar se Komuna e Prizrenit dhe ajo e Gjilanit, i kanë dërgu zgjidhje alternative Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinimin e qytetarëve në lokacione tjera, në mënyrë që t’i hapin palestrat sportive për aktivitetet sportive.

“Unë vazhdoj të besoj se ka zgjidhje tjera për vaksinim në këto dy komuna dhe se nuk janë zgjidhjet e vetme mbulimi apo mbyllja e palestrave kryesore të qytetit të vetmeve të cilat i ofrojnë kushtet për zhvillimin e garave në këto dy komuna. E di saktë që këto dy komuna kanë dërgu zgjidhje alternative në Ministrinë e Shëndetësisë”,  ka deklaruar Arben Fetahu.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se prioritet i tyre është vaksinimi i qytetarëve e jo lirimi i sallave. MSH-ja, thotë se lokacionet e vaksinimit me plan kanë qenë që do të shfrytëzohen deri më 15 dhjetor.

“Ministria e Shëndetësisë është kompetente për të zbatuar planin e vaksinimit kundër COVID-19. Para caktimit te lokacioneve qe aktualisht shërbejnë si qendra te vaksinimit, te gjitha komunat janë njoftuar me planin e MSh-se dhe Komunat (QKMF-të) vet i kanë përcaktuar lokacionet më të përshtatshme për ta  vaksinimin e popullatës në komunat e tyre. Në plan gjithashtu ka qenë e qartësuar se këto lokacione do të shfrytëzohen së paku deri më 15 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë insiston se prioritet është vaksinimi kundër COVID-19 dhe nuk merret me çështje të organizimit të veprimtarive sportive.

“Aktualisht procesi me prioritet në vend është vaksinimi kundër COVID-19 dhe mbrojtja e popullatës kundër COVID-19, si dhe nuk është në kompetenca te MSh-së që tmerret me çështje te organizimit të veprimtarive sportive”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.