Trajneri i Drenicës pas humbjes nga Gjilani: Munishi ishte dirigjent i mirë i gjyqtarëve

Drenica sot u mposht nga Gjilani me rezultat 2-1 në kuadër të xhiros së 10-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Trajneri i skuadrës nga Skenderaj, Tahir Lushtaku është ankuar në trajnerin e Gjilanit, Ismet Munishin duke e quajtur si dirigjent dhe asistent të mirë të gjyqtarit kryesor të lojës.

Ai thotë se penalltia e Gjilanit ishte e dyshimtë.

“E kam një dedikim për Ismet Munishin që me të vërtetë ka qenë dirigjent i mirë dhe asistent i mirë i gjyqtarit. E përgëzoj dhe i jap komplimente për mënyrën se si e orkestroi gjyqtarin kryesor. Lojtarët e Gjilanit i kanë meritat e veta për fitore. Ishte një lojë e barabartë, një penallti e dyshimtë. Patëm raste edhe në fund të pjesës së parë me Kreshnik Ukën. Në pjesën e dytë menduam se me kundërsulme mund të rrezikojmë por nuk na funksionoi. Morëm dy gola që nuk është dashur t’i marrim nga ato situata. Pavarësisht rezultatit, mënyra se si luajtëm ishte e mirë”, tha Lushtaku pas ndeshjes.

Pas kësaj humbje Drenica mbetet në vendin e dytë me 17 pikë, aq pikë sa ka Gjilani.