Gjykimi vrasje ne tentative 02.04.2019

Gjykimi për therje me thikë në koncert, i dëmtuari nuk kërkon dënimin e të akuzuarit: Ia kam falur me kanun

Një fjalosje dhe rrahje në një ndejë (koncert) në Skenderaj në vitin 2007 kishte mundur të përfundonte me fatalitet për Tafil Smajlin.

Sipas Prokurorisë e gjithë ngjarja kishte ndodhur në gusht të 2007, pas një fjalosje dhe rrahje ku tashmë i pandehuri Behar Bajrami, më pas e kishte goditur me thikë të dëmtuarin Tafil Smajli në anën e pasme të shpinës nën shpatullen e majtë, duke i shkaktuar kështu plagë shpuese.

Kjo ndejë kishte qenë në oborrin e Qendres së Kulturës në Skenderaj gjatë koncertit “Disko“, ndërsa akuza e Prokuorisë thotë se duke vallëzuar pas fjalosjes së lartëcekur, i pandehuri me dashje kishte tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin Tafil Smajli.

Behar Bajrami me këtë akuzohet se kishte kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës i dëmtuari Tafil Smajli i ftuar edhe si dëshmitarë në pika të shkurta ka folur për ngjarjen e ndodhur 12 vjet më parë.

Smajli para trupit gjykues me kryetar Tomislav Petroviq, duke u marr në pyetje nga prokurori Ismet Ujkani ka thënë se i kujtohet se ka pasur lëndim të lehtë ndërsa nuk i kujtohej se në qfarë pozite ka qenë as ai e as i pandehuri në momemtim kur ishte lënduar.

Tutje në dëshminë e tij i dëmtuari Tafil Smajli ka shtuar që arsyeja se përse ai ishte goditur me thikë ka qenë aklooli, pasi tashmë i pandehuri Behar Bajrami kishte qenë i dehur.

“Unë për veti kam qenë i mitur besoj që edhe Behari, ja kena fal familjarisht edhe jem shqiptar vëllezer, edhe kisha pas qef kjo me përfundu çdo send qetu. Nuk lypi kurfar dëmi kërkoj që kjo procedurë të përfundojë me kaq nga ana ime është i falur. Nuk kisha pasur qef me hi në emocione të së kaluarës”, ka deklaruar i dëmtuari Smajli.

Ndërsa faktin se ka ndodhur kjo ngjarje por pa dhënë shumë detaje e ka pranuar edhe dëshmitari Alban Hajdari, i cili u dëgjua në seancën e djeshme.

Në pyetjen e prokurorit, dëshmitari Hajdari ka thënë se kishte dëgjuar që ishte plagosur i dëmtuari Tafil Smajli por se ai nuk e kishte parë.

Pas dhënies së dëshmisë nga i dëmtuari njëkohesisht edhe dëshmitari në këtë rast Tafil Smajli e poashtu edhe dëshmitari tjetër Alban Hajdari, trupi gjykues me pajtimin e palëve dëshmitë e dëshmitarëve Valon Bekteshi, Tahir Lushtaku dhe Ali Azemin i ka lexuar në Gjykatë.

Kjo u bë pasi që dëshmitarët Bekteshi e Lushtaku nuk kanë prezantuar në gjykatë ani pse ishin ftuar në mëyrë të rregullt, ndërsa për Azemin në seancë ka prezantuar babai i tij i cili ka deklaruar se ai gjendej jashtë vendit.

Ndërsa gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Ujkani, i akuzuari Behar Bajrami ka deklaruar se atë natë ai kishte konsumuar alkool dhe pije energjike.

Gjithashtu i pandehuri Behar Bajrami ka shprehur pendimin e tij dhe  i ka kërkuar falje në gjykatë të dëmtuarit për atë se qfarë kishte ndodhur para 12 vjetve.

Në fund të seancës kur u dha fjala përfundimtare nga palët në këtë rast prokurori Ismet Ujkani i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtor për veprën e kryer penale dhe ta gjykoj me dënim sipas ligjit duke pasur parasysh të gjitha rrethanat lehtësues dhe rënduese, në mënyrë që dënimi i shqiptuar të jetë adekuat sipas ligjit.

Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit avokati Qendrim Rama, ka thënë për të mbrojturin e tij se nuk ka përgjegjësi penale sepse sipas tij i akuzuari Behar Bajrami në atë moment nuk ka qenë i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe që sipas tij i akuzuari në mënyre vullnetare ka hequr dorë nga çdo veprim apo mos veprim me të cilin do të mund t`i shkaktonte lëndime të rënda apo në rastin më të rënd privim nga jeta për të dëmtuarin, në rastin konkret kemi vetëm lëndim të leht trupor, ka theksuar Rama.

Kurse i dëmtuari Tafil Smajli edhe një herë ka thënë se raportet ndërmjet familjeve janë rregulluar.

“Ne si familje e madhe ia kemi falur rastin sipas kanunit dhe ia fali personalisht, nuk jam për me dëmtu në asnjë aspekt, arsyeja është sepse edhe pas rastit i njëjti kurrë nuk me ka provokuar dhe gjithmonë është penduar për atë që e ka bërë. Ka qenë rast momenti dhe kisha pas qef me përfundu gjithqka“, ka thënë Smajli.

Pas kësaj trupi gjykues ka konstatuar se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar, ndërsa shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet sot në gjykatën e Mitrovicës.