Shpallja e aktgjykimit (1)

Aktgjykim refuzues për therrjen më thikë në Skenderaj, pas ndryshimit të veprës penale

Gjykata e Mitrovicës ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj Behar Bajramit lidhur me rrahjen dhe therrjen më thikë në Skenderaj, në gusht të vitit 2007.

Gjykatësi i rastit Tomislav Petroviq i cili edhe ka bërë shpalljen e këtij aktgjykimi ka njoftuar se trupi gjykues ka rikualifikuar veprën penale të vrasjes në tentativë me të cilën akuzohej Behar Bajrami.

Pas këtij rikualifikimi të bërë Bajrami më nuk akuzohet për veprën penale vrasje në tentativë por për veprën lëndim i lehtë trupor, ndërsa pjesa e dispozitivit të akuzës ka mbetur ashtu si ka qenë.

Meqenëse kjo vepër ishte kryer 12 vjet më parë, për të kishte arritur edhe parashkrimi absolut.

Më këtë trupi gjykues në emër të popullit ka marr aktgjykim refuzues kundër të akuzuarit Behar Bajrami.

“Trupi gjykues ka vertetuar se ju nuk keni tentuar ta vrisni Tafilin, por vetëm i keni bërë lëndime të lehta trupore. Meqenëse për lwndim të lehtw trupor, prej ditës prej kur ka ndodhur kjo kanë kaluar 12 vite dhe lënda përfundon një herë e përgjithshmonë“, ka thënë gjykatësi Petroviq duke ia sqaruar të pandehurit vendimin e shpallur.

Sipas Prokurorisë në gusht të 2007, i pandehuri Behar Bajrami pas një fjalosje dhe rrahje e kishte goditur me thikë të dëmtuarin Tafil Smajli në anën e pasme të shpinës nën shpatullen e majtë, duke i shkaktuar kështu plagë shpuese.

Rasti kishte ndodhur gjatë një koncerti në oborrin e Qendres së kulturës në Skenderaj, ndërsa akuza e Prokurorisë thotë se duke vallëzuar pas fjalosjes së lartëcekur, i pandehuri me dashje kishte tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin Tafil Smajli.

Më këtë Bajrami  akuzohej se kishte kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Ndërsa pas kualifikimit të bërë nga trupi gjykues, vepra për të cilën akuzohej Bajrami ka qenë ajo e lëndimit të lehtë trupor, por meqenëse ka arritur parashkrimi absolut gjykata në rastin konkret ka marr aktgjykim refuzues.