Alarmon trajneri i Drenicës: Klubi është në krizë të thellë financiare

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku ka bërë një reagim në Facebook për krizën që po e kalon klubi nga Skenderaj.

Lushtaku ka bërë të ditur se klubi po kalon në një krizë të thellë financiare dhe nuk është duke u mbështetur nga askush.

Ai thotë se e ka bërë këtë reagim që mos të vij puna deri te bojkotimi i stërvitjeve dhe lojërave nga lojtarët e kësaj skuadre.

“Unë si trajner i KF Drenica, me keqardhje më duhet të deklarohem në lidhje më gjithë këto vështirësi të krijuara në klub. Klubi po kalon nëpër një krizë të thellë financiare, pa mbështetje nga askush (në aspektin financiar). Po reagoj, me qellim të mos vijë situata deri në bojkotim të stërvitjeve dhe ndeshjeve nga ana e futbollistëve të cilët mi kanë shprehur këto shqetësime këto ditë të fundit”, ka shkruar Tahir Lushtaku në Facebook.

Tahir Lushtaku ka bërë të ditur se lojtarët dhe stafi i kësaj skuadre nuk kanë marrë paga që dy muaj.

“Po bëhën tashmë dy muaj, që nuk janë paguar obligimet ndaj lojtarëve dhe stafit, si dhe obligimet tjera, që i duhen skuadrës për të funksionuar dhe përkrahja që i duhet skuadrës për vazhdimësi të kampionatit, për të arritur objektivat, sepse jemi në rrugën e duhur që me këto rezultate që i kemi ne të mendojmë më lartë, dhe për një objektiv të caktuar deri në fund të kampionatit”, ka bërë të ditur Lushtaku.

Aktualisht Drenica pozicionohet në vendin e katërt me 20 pikë, me gjashtë fitore, dy barazime dhe pesë humbje nga 13 xhiro në Superligën e Kosovës në futboll.