Shtyhet ndeshja e Superligës 'për të mos e rrezikuar' barin e stadiumit për ndeshjen kundër Çekisë

Ditën e martë me 20 gusht, Federata e Futbollit e Kosovës, njoftoi se ka marrë vendim që ta shtyjë ndeshjen e xhiros së dytë ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, e cila ishte përcaktuar që të zhvillohet me 24 gusht.

Kjo ndeshje është shtyrë për 25 shtator të këtij viti.

Arsyetimi i Komisionit të Garave për këtë shtyerje është se nuk është gjendja jo e mirë e fushës, dhe duhet të përgatitet për ndeshjen Kosovë – Çeki e cila luhet në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Veton Makolli, përgjegjës i fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ka folur për KALLXO.com, duke treguar për gjendjen e fushës, sa ndeshje i përballon fusha dhe sa ndeshje janë zhvilluar brenda një viti.

Makolli tregoi se fusha ka pasur ngarkesë të madhe, por në 10 ditëshin e fundit ka qenë e pangarkuar dhe janë duke e shfrytëzuar rastin që ta riparojnë atë komplet.

Ai tregon se fusha e përballon vetëm një ndeshje brenda një jave, por në dy muajt e fundit ka ndodhur që janë zhvilluar dy lojëra brenda ditës.

“Ngarkesa ka qenë shumë e madhe, përafërsisht qe 10 ditë ose dy javë nuk kemi ngarkesë, jemi duke e riparuar fushën komplet. Sidomos dy muajt e fundit kemi pasur ngarkesë saqë kanë luajtur edhe dy lojë brenda ditës. Në bazë të barit të fushës e ka të paraparë me luajt një ndeshje brenda një jave”, ka zbuluar ai për KALLXO.com.

Makolli ka treguar një faktor që ka ndikuar në ngarkesën e madhe të fushës, ai është se këtij stadiumi iu kishin shtuar edhe ndeshjet e Flamurtarit si vendas.

“Ndikimi i madh ka qenë te Flamurtari e Prishtina që ka pasur ndeshje të mërkurën të shtunën, ka pasur ndeshje të shtunën prapë. Domethënë brenda 10 ditëve janë luajtur tri deri në katër lojë, që kjo fushë nuk i përballon”, ka shpjeguar ai.

Ai tregon se nëse do të ishte zhvilluar ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit më 24 gusht, atëherë nuk do të kishte pasur kohë të mjaftueshme që të riparohet fusha, pasi më 30 gusht luan Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e vajzave, e tetë ditë më vonë ajo e djemve ndaj Çekisë. Prandaj ai thotë se kjo është arsyeja që nuk kanë dashur ta rrezikojnë ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.

“Për arsye që u anulua loja e cila është dashur të zhvillohet me 24 gusht ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, kemi bërë shumë intervenime në fushë, mbjellja që është bërë, ku ka pasur nevojë që të mbillet, ky është afat shumë i shkurtër për me dalë bari, problemi është që nuk kemi mundur me rreziku lojën ndërmjet Kosovës me Çekinë, pasi nëse kish pas lojë me 24 gusht, me 30 luan Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e vajzave, pastaj me 7 shtator Kombëtarja e Kosovës A në kategorinë e djemve, ngarkohet shumë, pastaj nuk kishim pas mundësi me e rigjeneru fushën”, ka treguari ai.

Makolli ka treguar se brenda një viti në stadiumin “Fadil Vokrri” janë zhvilluar rreth 60 ndeshje, që është e tepërt për barin e kësaj fushë, pasi është e vështirë për ta që ta mirëmbajnë për ta rigjeneruar.

“Brenda vitit janë zhvilluar diku afër rreth 60 ndeshje që janë luajtur, kjo është tepër. Vetëm dy muajt e fundit, përafërsisht janë luajtur 20 ndeshje, me yjet nuk ka qenë e ngarkuar shumë se kena pas kohë me e rigjeneru. Arsyeja e shtyrjes së ndeshjes Prishtina – Dukagjini, është për arsye të UEFA-s, për mos me e rreziku lojën e Kosovës me Çekinë”, përfundon Valmir Makolli.

Ndërkaq, Diturie Hoxha nga Federata e Futbollit e Kosovës, thotë për Kallxo.com, se nëse vazhdohet me aktivitet e shumta, atëherë fusha në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk mund ta ruajë gjendjen e mirë. Por ajo ka thënë se fusha ndaj Çekisë me 7 shtator do të jetë gati.

“Nëse vazhdohet me këtë ritëm të aktiviteteve, fusha “Fadil Vokrri”, nuk mund ta ruaj gjendjen e mirë. Pas masave të ndërmarra, shtyerjen e ndeshjes së cilës i referoheni, besojmë që për ndeshjen ndaj Çekisë fusha do të jetë gati”, ka thënë ajo fillimisht.

Ajo ka treguar se FFK-ja ka obligim që t’i raportojë UEFA-s për gjendjen e fushës para çdo ndeshje ndërkombëtare.

“Është obligative që të raportohet për gjendjen e fushës para secilës ndeshje ndërkombëtare. Raporti i parë bëhet gjashtë javë përpara, i dyti tri javë përpara ndeshjes dhe i treti një javë përpara ndeshjes”, ka treguar ajo.

Për herë të fundit para një ndeshjeje ndërkombëtare, fusha inspektohet nga zyrtarët përkatës të UEFA-s pak orë para ndeshjes.