Rrahmani: Ndeshja ndaj Çekisë do të jetë një përballje me tension

Kombëtarja e Kosovës është grumbulluar për ndeshjen ndaj Republikës së Çekisë dhe Anglisë, ndeshje të cilat luhet në kuadër të fazës së grupeve për kualifikimet e “Euro 2020”.

“Dardanët” sot e kanë mbajtur seancën e parë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 18:00.

Kapiteni i kësaj skuadre Amir Rrahmani ka folur në konferencë për media, ka folur për ndeshjen ndaj Çekisë.

Rrahmani ka thënë se kjo ndeshje është e vështirë, por ata do ta japin maksimumin që të marrin rezultat poztiv të enjtën në Plezen prej orës 20:45.

“E dimë që është një ndeshje shumë e vështirë, sepse luajmë ndaj kundërshtarit direkt për vendin e dytë. Takimin e parë në shtëpi e kemi fituar 2-1, por atje do të jetë shumë ndryshe, me shumë presion. Presioni nuk do të jetë vetëm mbi ne, madje Çekia do të ketë më shumë presion. Ndoshta është më mirë për ne që ata kanë më shumë presion për fitoren. Kështu që do të jetë një përballje me tension, por qëllimi ynë kryesor është të japim maksimumin. Besoj që rezultati do të vijë”, ka thënë mbrojtësi i Dardanëve.

Qendërmbrojtësi i Hellas Veronës ka thënë se lojtarët e Kosovës janë fillimisht të fokusuar në dy ndeshjet për kualifikimet e “Euro 2020”, pastaj do të mendojnë për Ligën e Kombeve.

“Përderisa kemi shans që të kualifikohemi nëpërmjet kualifikueseve të Evropianit, po, besojmë se mundemi dhe duhet ta provojmë. E kemi thënë me kohë që nuk duhet të mendojmë për Ligën e Kombeve sepse kemi përpara kualifikueset. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar aty”, ka theksuar Rrahmani.