Rafet Prekazi: Anglia favorite, por nuk shkojmë të dorëzuar

Trajneri i Kombëtares U21, Rafet Prekazi, sot është paraqitur në konferencë për media, në prag të grumbullimit të kësaj kombëtare, e cila luan ndaj Anglinë me 9 shtator në Hull, për ndeshjet kualifikuese për “Euro 2021”.

Prekazi, ka thënë se Anglia është kundërshtari i tyre më i forë, pot ata nuk do të dorëzohen edhe përkundërsaj.

“Realisht Anglia është kundërshtari ynë më i fortë në këto eliminatore. Në letër ata janë favorit, por fusha jo gjithmonë e ka dëshmuar se është ashtu. Nuk kemi informata për këtë ekip U21 të anglezëve, pasi që është ndërrimi i gjeneratës. Do ta analizojmë lojën e tyre përpara ndeshjes, ngase Anglia zhvillon një tjetër duel para nesh dhe më pas do të shohim për t’i marrë preventivat për këtë duel. Nuk kam parë ende një thes me para që e gjuan mirë topin”, ka theksuar Rafet Prekazi.

Ndërkohë, Eris Abedini, e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, por ka thënë se sukseset e Kosovës A kanë bërë që edhe konkurrenca në ekipin U21 të rritet.

“Anglia është një kombëtare që ka shumë kualitet brenda saj. I njohim disa nga lojtarët që luajnë në Premier League dhe Championship dhe ne e dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë. Mund të ju them që sukseset e Kombëtares A kanë ndikuar të shumë futbollistë të zgjedhin kombëtaren e Kosovës përpara kombëtareve të tjera”, ka theksuar Eris Abedini.

Ndërkaq, edhe Kreshnik Hajrizi është i vetëdijshëm për forcën e “Tre Luanëve”, por shpreson për më të mirën e kombëtares sonë.

“Do të jetë një ndeshje që mundemi me tregu kualitetet tona. Anglia është një ekip shumë i fortë, por ne duhet të tregojmë kualitetet që kemi. Kemi vetëbesim pasi që futemi në këtë ndeshje nga pozita e parë me pike maksimale”, ka thënë Hajrizi.

Kosova U21 gjendet në Grupin 3, dhe deri më tani nga dy ndeshje i ka shënuar dy fitore.