Prishtina e transferon portierin kroat Ivan Jeliç

Prishtina e ka gjetur zëvendësuesin e Visar Bekajt, duke e transferuar portierin Ivan Jeliç nga Kroacia.

Jeliç iu është bashkuar kryeqytetasve nga skuadra kroate NK Krsko, i cili mbrojti ngjyrat e këtij ekipi në Ligën e Parë Sllovene.

Portieri i gjatë 198 centimetra, ka thënë se nuk e ka menduar asnjëherë se do t’i bashkohej Prishtinës.

“Të jem i sinqertë nuk kam menduar ndonjëherë për Prishtinën. Por, me ndihmën e menaxherëve, shumë shpejtë kemi arritur marrëveshjen dhe ja tani ndodhem këtu. Ndjehem jashtëzakonisht mirë që bëhem pjesë e klubit më të madh në Kosovë. Është ky hap i madh në karrierën time”, ka thënë Jeliç për faqen zyrtare të klubit të Prishtinës.

Ai ka thënë se babai i tij i tregoi për Prishtinën dhe vendosi që t’i bashkohej skuadrës më të trofshme në Kosovë.

“Me të dëgjuar familja për Prishtinën, ishin pak skeptik përshkak “koronës”, por babai menjëherë më tregoi se bëhet fjalë për një klub të madh. Pastaj u interesova më shumë nëpërmjet shokëve dhe që të gjithë njëzëri më sugjeruan që pa hezitim të pranojë këtë sfidë të re dhe jam shumë i kënaqur që tani më ndodhem në mjedisin e ri”, ka thënë ai.