Ndeshja Kosova-Spanja, dy bileta ofrohen për 400 euro në tregun e zi

Federata e Futbollit e Kosovës kishte njoftuar se nuk do të ketë shitje të biletave për ndeshjet ndaj Greqisë dhe Spanjës. Por, përkundër saj, sot në faqet e shitblerjeve kanë qarkulluar disa bileta për ndeshjen ndaj Spanjës.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për keqpërdorimin e shitjes së biletave në tregun e zi.

FFK kishte njoftuar se do të shfrytëzohet vetëm 10 % e kapacitetit të stadiumit. Rreth 1,300 bileta janë paraparë për shikuesit.

‘’Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin se edhe në ndeshjen Kosovë – Spanjë, në bazë të masave të Qeverisë kundër COVID-19, do të shfrytëzohet vetëm 10 % e kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” dhe të gjitha biletat jepen falas. Në këtë përqindje përfshihen: stafi organizativ, tifozët “Dardanët”, ekipet e të dyja kombëtareve dhe zyrtaret. Te gjithë ata të cilët janë pajisur me bileta kërkojmë që të jenë të përgjegjshëm dhe të mos i keqpërdorin ato’’ thuhet në njoftimin e FFK-së

Po ashtu Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë thirrje që rastet e keqpërdorimit të biletave të paraqiten tek organet e rendit.‘

’Në rast se keni njohuri për keqpërdorim të biletave nga persona të caktuar, ju lusim që ato raste t’i denonconi në policinë e Kosovës’’ thuhet në fund të komunikatës.

KALLXO.com ka siguruar edhe dy fotografi ku shihet se një person i kërkon 400 euro për dy bileta.

Ato i ka nxjerrë në shitje në faqet e shitblerjeve në rrjetet sociale.

 

 

 

Po shiten bileta në ‘treg të zi’ për ndeshjen ndaj Spanjës, reagon FFK