Kryetari i FFK-së takohet me mikrobiologun Lul Raka për të diskutuar mundësinë e rikthimit të futbollit

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, sot ka pritur në zyrën e tij mikrobiologun nga Instituti Kombëtar i Shëndësisë Publike në Kosovë, Lul Raka.

FFK njofton se në këtë takim është diskutuar mundësia e rikthimit të futbollit në Kosovë .

“Presidenti Agim Ademi ka takuar sot në zyrën e tij mikrobiologun nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Prof. Dr. Lul Raka. Gjatë këtij takimi u bisedua për masat e lehtësuese rreth pandemisë Covid-19 që do të merren në ditët dhe javët në vazhdim, të ndara në faza, si dhe për mundësitë e rikthimit të garave të futbollit në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Mikrobiologu Raka, ia ka bërë me dije të parit të FFK-së, se aktivitet sportive janë paraparë të lejohen në fazën e tretë të masave lehtësuese që i bie të jetë në qershor.

“Nga ana e tij, Prof. Dr. Lul Raka u shpreh se është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka aktiviteti sportiv, me këtë rast futbolli, duke pasur parasysh se në një periudhë ka qenë edhe vetë futbollist, por tha se tani prioritet mbetet shëndeti. Ai bëri me dije se aktiviteti sportiv është paraparë të lejohet në fazën e tretë të masave lehtësuese në muajin qershor, porse shumëçka varet prej ecurisë së rasteve me Covid-19 në ditët dhe javët në vazhdim”, njofton FFK.