Boks: Donjeta Sadiku humb në Bullgari

Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, ka pësuar humbje nga boksierja nga Kazakistani, Karina Ibragimova.

Sadiku dhe Ibragimova janë përballur në gjysmëfinale të turneut ndërkombëtarë në Sofje të Bullgarisë.

Ky meç ishte i vlefshëm për kategorinë deri në 60 kilogramë.

Federata e Boksit e Kosovës e ka kundërshtuar fuqishëm vendimin që e shpalli fituese boksieren nga Kazakistani.

Sipas Federatës së Boksit, fitorja duhet t’i takonte Donjeta Sadikut.

“Donjeta Sadiku tregoi boks luftarak gjatë tri raundeve dhe sulmoi boksieren Ibragimova me goditje të njëpasnjëshme. Në raundin e tretë detyroi referin në ring që t’i numëroj boksieres nga Kazakistani dhe ta pushoj atë. Gjithë kohën Donjeta ishte në epërsi, e sidomos në raundet dy dhe tre. Pas përfundimit të duelit, dora si fituese iu ngrit Donjeta Sadikut, por për çudi menjëherë ndryshohet vendimi dhe fituese shpallet boksierja nga Kazakistani”, ka njoftuar FBOXK.