India qet kushte, Donjeta Sadikut i pamundësohet pjesëmarrja në Botërorin e boksit
Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që po zhvillohet në New Delhi të Indisë, pas disa kushteve që janë vendosur nga Ministria e Jashtme e Indisë për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë kampionat.
Sipas njoftimit të MKRS-së, Ministria e Jashtme e Indisë ka vendosur që pjesëmarrja e Sadikut mund të bëhet vetëm nëse flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit.
“U njoftuam që pjesëmarrja e boksieres tonë mund të bëhet vetëm me dy kushte: Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror, si dhe pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre”- njofton MKRS për kushtet e vendosura nga Ministria e Jashtme e Indisë.
Pas marrjes së këtyre informatave Ministria e Kulturës me Federatën e Boksit vendosën që Kosova të mos marrë pjesë në këtë kampionat.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë se fillimisht gjatë ditës së djeshme Ministria e Jashtme e Indisë ka aprovuar vizën e ekipit pjesëmarrës të Kosovës por disa orë më vonë vendosi kushte të reja.
MKRS kushtet e vendosura nga India i konsideron diskriminuese dhe të bëra për “arsye politike”.
“Federata e Boksit është anëtare me të drejtat të plota në Federatën Botërore të Boksit që nga nëntori i vitit 2014. Është e papranueshme që Kosova të trajtohet ndryshe nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë, vetëm për arsye politike”- njofton MKRS.
Lidhur me këtë çështje, përmes një video mesazhi ka reaguar edhe boksierja Sadiku, njëherit medalistja e bronztë e botës dhe Evropës në boks.
Sadiku ka kërkuar nga Qeveria e Indisë të rishqyrtojë vendimin për t’i lejuar pjesëmarrjen e saj me të gjitha të drejtat që i takojnë.
“Është e padrejtë që Kosova të trajtohet ndryshe nga të gjithë anëtarët e tjerë për arsye politike. Unë besoj në fuqinë e sportit për të bashkuar njerëzit dhe për të promovuar paqe dhe mirëkuptim midis kombeve. Me këtë video po i bëj thirrje Qeverisë së Indisë të rishqyrtojë vendimin dhe të më lejojë të garoj për Republikën e Kosovës me të gjitha të drejtat që më takojnë”- ka thënë Sadiku.
Federata e Boksit të Kosovës është anëtare në Federatën Botërore të Boksit që nga vitit 2014.