Atdhe Nuhiu: Ndaj Malit të Zi po shpresojmë të kemi një rezultat të mirë (VIDEO)

Kombëtarja e Kosovës sot ka mbajtur stërvitjen e dytë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet ndaj Gjibraltarit dhe Malit të Zi.

Pas stërvitjeve në konferencë për media kanë folur portieri Samir Ujkani dhe sulmuesi Atdhe Nuhiu.

Qendërsulmuesi Atdhe Nuhiu ka thënë se ndeshja ndaj Malit të Zi është e rëndësishme për Kosovën.

Por, për “Dardanët” sipas Nuhiut e rëndësishme është edhe miqësorja ndaj Gjibraltarit të enjten para ndeshjes ndaj Malit të Zi.

“Normal që ndeshja ndaj Malit të Zi është shumë e rëndësishme, por ashtu kanë qenë edhe ndeshja me Çekinë dhe ndeshja me Bullgarinë më herët. Kështu që është një lojë shumë e rëndësishme për ne, por jo më tepër se si kanë qenë ato tjerat, se i kemi pasur rezultatet e mira edhe ndaj atyre tjerëve, edhe tash po shpresojmë të kemi një rezultat të mirë. Sa i përket lojës me Gjibraltarin është një test shumë i mirë për ne, por edhe si parapërgatitje për lojën me Malin e Zi”, tha Nuhiu.

Kujtojmë se Kosova të enjten luan ndaj Gjibraltarit, ndeshje miqësore. Kurse të hënën luan me Malin e Zi, që është e vlefshme për “Euro 2020”.