Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Afërdita Fazlija: E merituam fitoren ndaj Estonisë

Kombëtarja e Kosovës A, në kategorinë e vajzave sot ka fituar me rezultat 2-0, ndaj Estonisë, ndeshje e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.

Kosova në ndeshjen e sotme i kishte vetëm dy futbolliste jashtë kampionatit të Kosovës, Erëlehta Mehmetin nga Gjermania dhe Edona Kastratin nga Italia.

Trajnerja e Kosovës, Afërdita Fazlija, pas ndeshjes për KALLXO.com, ka thënë se u përballen me përgatitjen e problemve fizike në pjesën e dytë, gjë të cilën e kishte pritë.

“Realisht qaj problemi që e kemi theksu edhe në konferencë ndoshta do të kemi problem me përgatitjen fizike ajo u pa në pjesën e dytë. Loja u nda në dy etapa, pjesa e parë për ne shënuam dy gola dhe pjesa e dytë kur e mbrojtëm rezultatin. Arsyeja e pjesës dytë që nuk shënuam, patëm ndoshta ramje në pjesë të caktuar është përgatitja fizike pasi pothuajse të gjitha vajzat kanë qenë të kampionatit të Kosovës edhe ajo erdh në pah, një diçka që e kemi menduar se do të përballemi me këto probleme dhe u munduam me disa ndërrime me disa freskime ta mbajmë edhe pjesën e dytë”, ka thënë pas ndeshjes Afërdita Fazlija në një intervistë për KALLXO.com.

Fazlija thotë së fitoreja e sotme nuk ishte e lehtë ndaj Estonisë.

“Realisht nuk ka qenë fitore e lehtë, për shkak se e kemi parë situatën në teren, domethënë lojtarët kah minuta e 70-të, kanë qenë të hargjuara dhe mund të themi, ato nuk kanë dalë shumë përpara, mirëpo përgatitja e tyre fizike na ka shti në presion neve si ekip dhe si shtab”

Timonierja e vashave të Kosovës thotë se e merituan fitoren ndaj Estonisë.

“Sot besoj që e merituam fitoren, sot menduam që dimë me lujt futboll, mirëpo ndoshta pandemia na ka penalizuar te çështja e përgatitjes fizike, megjithatë unë jam e kënaqur fitoren dhe prej këndit që e kam pa unë mendoj që me meritë i kemi marrë tri pikë”, ka thënë ajo.

Afërdita Fazlija. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com