Stërvitjet e kombëtares së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Trajnerja dhe lojtaret e Kosovës optimiste para ndeshjes ndaj Estonisë (VIDEO)

Kombëtarja e Kosovës në futboll në kategorinë e vajzave ka nisur stërvitjet për ndeshjen ndaj Estonisë që luhet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021.

“Dardanet” ndeshjen e parë e kishin fituar në Estoni me rezultat 2-1.

Trajnerja Afërdita Fazlija tha për KALLXO.com se ky është njëri prej grumbullimeve më të vështira si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia e coronavirusit.

Afërdita Fazlija, trajnere e kombëtares së Kosovës – Foto: KALLXO.com

“Realisht kjo është një prej grumbullimeve më specifike për shkak se zgjedhjet dhe mundësit[ për me bërë grumbullim kanë qenë të kufizuara, kanë qenë të kufizuara vetëm te liga e Kosovës. Megjithatë, edhe për shkak të kufizimit të ligave të Kosovës, u dasht pas propozimit për grumbullim t’u nënshtrohemi testeve edhe pse kemi thirrë lojtare dhe nuk kemi qenë të sigurta se të gjithë ato lojtare do të dalin negativ edhe nëse ia shtojmë atë pjesën se Kosova në ciklin e fundit ka filluar zhvillimin e ndeshjeve kryesisht duke u bazuar në lojtare të diasporës, ky grumbullim nuk ka dallim prej jetës momentale që po e kalojmë si shoqëri me pandemi”, thotë Fazlija për KALLXO.com.

Fazlija thotë se për këtë ndeshje nuk janë favoritë por do të kërkojnë që tri pikë t’i mbajnë në Kosovë.

“Realisht me Estoninë nuk jemi favoritë, për shkak se ndoshta disa ndeshje të vështira që ata i kanë zhvilluar ne ende nuk i kemi zhvilluar. Ato kanë zhvillu lojë edhe me Holandën. Janë një ekip i mirë, solid, kanë një përvojë shumë më të gjatë se ne. Megjithatë ne nuk do të jemi indiferentë. Në këtë lojë ne hymë për fitore, do të mundohemi me këtë grup që e kemi, ndoshta prej sot është një optimizëm edhe më i madh, nga vetë fakti se në momentet e fundit dy lojtare kanë konfirmuar ardhjen, Erëletë Memeti dhe Edona Kastrati. Ne po përgatitemi për fitore”, thekson ajo.

Ndërsa, mesfushorja anësore, Erëleta Memeti, sot i është bashkuar ekipit pasi për këtë ka marrë leje nga skuadra gjermane Freiburg.

Ajo pret fitore në këtë ndeshje.

Erëleta Memeti – Foto: KALLXO.com

“Po, jam e gatshme, jena tu ushtru mirë edhe i kemi edhe tre-katër treninga para lojës edhe besoj që kemi me qenë të gjithë të gatshme edhe kemi me e fitu lojën. Ka qenë problem me ardhë në Kosovë, shkaku i pandemisë pasi kur të kthehemi në Gjermani duhet me hi në karantinë, nuk të lejojnë në kushte normale. Por në fund kam folë me klubin dhe jam e lumtur që mundem me lujt për kombëtaren këtu dhe shpresoj që vij apet me një fitore”, thotë Erëleta Memeti.

Ndërsa, kapitenia e Kosovës, Edona Kryeziu, pret ndeshje të vështirë ndaj estonezeve, por beson te fitorja.

Edona Kryeziu – Foto: KALLXO.com

“Ndeshjen e parë me Estoninë e kemi fituar edhe pse me mjaft vështirësi. Kjo ndeshje është më e veçantë sepse shumica e lojtarëve jemi prej Kosovës, do të mundohemi maksimalisht me fitu këtë ndeshje edhe pse nuk do të jetë e lehtë sepse kemi shumë mungesa përveç dy lojtarëve që na kanë ardhë nga shtetet e Europës, të tjerat jemi të Kosovës. Besoj që do t’ia dalim edhe pse me vështirësi, por gjithmonë do të hymë në lojë për të fituar”, thotë kapitenia e Kosovës, Edona Kryeziu.

Mesfushorja Donjeta Halilaj është e kënaqur me ecurinë e stërvitjeve dhe pret fitore ndaj Estonisë.

Donjeta Halilaj – Foto: KALLXO.com

Stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë, jemi grumbulluar prej të hënës dhe mendoj se jemi duke punuar mirë, duke shku mirë me trajnerat e trejneren. Çdo gjë është në rregull. Unë mendoj se jemi përgatitur mjaft mirë edhe pse jemi të gjitha lojtarët të kampionatit të Kosovës dhe do ta japim maksimumin në fushë që të dalim me një fitore”, shprehet e bindur mesfushorja e klubit Mitrovica.

Kosova pozicionohet në vendin e katërt me gjashtë pikë, dy fitore dhe tri humbje nga gjashtë ndeshje të zhvilluara në kuadër të Grupit A.

Stërvitjet e kombëtares së Kosovës – Foto: KALLXO.com