Afërdita Fazlija: E deshëm më shumë fitoren
Përzgjedhësja e Kombëtares së Kosovës, Aferdita Fazlija, është shprehur shumë e lumtur më fitoren kundër Turqisë.
Vashat e Kosovës sonte mundën Turqinë, me rezultat 2-0, në sfidën e parë të kualifikueseve për Evropianin e ardhshëm 2021.
Fazlija pas ndeshjes për RTK, tha se është e kënaqur me angazhimin e lojtareve të saj. Ajo e pranon se është bërë përgatitje e madhe për të ardhur deri tek fitorja. Sipas teknikes së Kosovës, arma kryesore e Kosovës është mesfusha. Fazlija thotë se kjo fitore është vetëm hapi i parë.
“Definitivsht ka qenë një lojë më ngarkesë të madhe. Ne është dashur të përgatitemi maksimalisht, sepse nuk e kemi njohur shumë kundërshtarin. Mendoj se deshëm më shumë fitoren. Besoj se kemi zhvilluar një ndeshje të mirë”, tha ajo.
“Realisht arma kryesore e Kombëtares sonë është mesfusha, mesfusha jep mundësinë e ndryshimit taktik, por mendoj se të gjitha vajzat e kanë dhënë maksimumin. Jemi munduar të bëjmë më të mirën. Është ndeshja e parë, jemi një ekip e re, është hapi i parë dhe kemi fituar pikë shumë të mira në aspektin sportiv”, theksoi Fazlija