Kosova e gatshme për ndeshjen ndaj Turqisë në stadiumin “Fadil Vokrri” (FOTO)

Kombëtarja e Futbollit në kategorinë e vajzave ka mbajtur konferencë për media para ndeshjes Kosovë- Turqi, që luhet për kualifikimet e Anglia “Euro 2021”.

Trajnerja e Kombëtares së Kosovës, Afërdita Fazlija, thotë se vashat e saj kanë bërë progres në dy vitet e fundit.

“Sa i përket kundërshtarit kemi informata. Nuk i kemi informatat e muajve të fundit. Para dy viteve kemi pasur një lojë miqësore me Turqinë, kemi humbur me rezultat 4-2. Nëse e shohim progresin e Kosovës, mendoj se do të jetë një lojë cilësore prej te dy kombëtareve. Momentalisht për këtë grumbullim i kam ftuar 23 lojtare, 11 lojtare prej Kosovës, ndërsa pjesa tjetër prej jashtë”, tha ajo fillimisht.

Tutje Fazlija, insistoi se ndaj Turqisë të premten do të pres fitore.

“Jemi përgatitur gjithmonë që të jemi të gatshme. Me siguri se kombëtarja e djemve na ka motivu që të punojmë më tepër. Na ka shti me besu që në futboll, nuk është çdo herë rangimi. Unë pres nga kombëtarja që ta fitojmë këtë ndeshje”, ka cekur ajo.

Kurse kapitenja Valentina Limani, tha se janë të motivuara dhe do ta japin maksimumin ndaj Turqisë të premten.

“Besoj që vajzat janë shumë të motivuara. Mendoj që do ta japim maksimumin. Duhet t’i kryejmë detyrat që na thotë trajneri dhe beson që do të dalim triumfues. Skuadra është e bashkuar mes vete dhe besoj se do të kemi rezultate pozitive”, tha Limani.

Erëleta Memeti tha se Turqia ka më shumë përvoj, por ajo pret përkrahje të madhe nga tifozët.

“E dimë që Turqia ka një përvojë më të madhe, por besoj që fal përkrahjes së madhe do të dalim fitues”, është shprehur Memeti.

Ndeshja Kosovë- Turqi, do të luhet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 20:00.