121 Aplikacione Për Lirim nga TVSH-ja në Importim

Administrata Tatimore e Kosovës-ATK në faqen zyrtare të saj ka publikuar raportin e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave të tatimpaguesve për lirimet nga TVSH-ja në importim.

Këto kërkesa vijnë në zbatim të pakos fiskale, e cila hyri në fuqi në 1 shtator 2015, dhe ku parashikohen ulje të TVSH-së për një sërë produktesh dhe lirim të plotë për disa të tjera.

Sipas raportit përmbledhës mbi aplikacionet për lirime të TVSH-së në importim dhe të trajtuara nga komisioni, për periudhën 1 shtator 2015 deri me 23 tetor 2015 janë në total 121 aplikacione (114 aplikacione për “lëndë të parë”, 7 aplikacione për pajisje të teknologjisë Informative).

Nga këto, janë aprovuar 106 (102 aplikacione për “lëndë të parë”, dhe 4 aplikacione për pajisje të teknologjisë informative).

Të refuzuara janë 8 aplikacione për “lëndë të parë”, dhe 1 për pajisje të teknologjisë Informative). Ndërsa 6 të tjera po trajtohen nga administrata tatimore (4 aplikacione për “lëndë të parë”, 2 aplikacione për pajisje të teknologjisë informative).

Sipas ATK-së, risitë ligjore kanë bërë avancime sa i përket importeve për kategori të caktuara të biznesit të cilat janë të liruara nga TVSH-ja në import pas hyrjes në fuqi të paketës së re fiskale.

“Deri para hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjithë importuesit (përveç rasteve specifike) është dashur të paguajnë TVSH-në në importim të mallrave. Tani me ndryshimet ligjore të TVSH-së janë bërë avansime sa i përket importimit për një kategori të caktuar biznesore, të cilët janë të liruar nga pagesa e TVSH-në në importim. Pikërisht këto ndryshime ligjore janë mirëpritur nga tatimpaguesit, sepse ndikojnë në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe atyre tregtare”, thuhet në publikim.