Shpend Ahmeti bëhet shembull, nuk porosit ‘Plazma keksa’ në tenderin e AQP-së

Produktet e miellit dhe qumështi janë produktet me sasi milionëshe që Komuna e Prishtinës i ka porositur në tenderin për furnizim me mallra të hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Komuna e Prishtinës në kërkesat për furnizim me artikuj ushqimorë, për dallim nga disa institucione të tjera nuk ka porositur produkte serbe.

KALLXO.com ka raportuar gjatë këtyre ditëve se komuna si Klina, Peja, Gjakova, Kaçaniku e Drenasi kishin porositur produkte të prodhuara në Serbi në formularin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit. Komunat ishin arsyetuar se problemi ishte tek formulari e jo tek vullneti i tyre për të kryer porositë.

Tenderi për produkte serbe u zbulua para disa javësh nga KALLXO.com ndërsa i njëjti u ndërpre pas ndërhyrjes së Qeverisë.

Përndryshe në dosjen e siguruar nga KALLXO.com Komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti ka kryer porosi të tjera për mallra ushqimore.

Komuna në këtë tender ka kërkuar 3 milionë e 668 mijë e 490 copa qumësht UHT, me paketim 250 ml ambalazh aseptik të tetra pakut si dhe qumësht 3.2 për qind – 55 mijë e 500 litra.

Ndër produktet tjera me sasi prej 1 milion e 360 mijë copa është Kroasan me peshë 80 gr (me mbushje) nga e cila duhet të ketë së paku 15 gr filing ndërsa në përbërjen e brumit të ketë 25% margarinë (me puter pa kripë), bukë gjysme integrale nga 500 gram 130 mijë copa, 680 mijë copa kroasanë me peshë 80 gr (me mbushje) nga e cila duhet të ketë së paku 15 gram filing, ndërsa në përbërjen e brumit duhet të ketë 25% margarinë (me xhem të vishnjës), 680 mijë copa kroasanë me peshë 80  gr (me mbushje) nga e cila duhet të ketë së paku 15 gr filing ndërsa në përbërjen e brumit të ketë 25% margarinë (me xhem të kajsisë) si dhe kroasanë me peshë 80 gr (me mbushje) nga e cila duhet të ketë së paku 15 gr filing ndërsa në përbërjen e brumit të ketë 25% margarinë (me xhem te manaferrave pa fara) 680 mijë copa.

KALLXO.com ka selektuar edhe disa nga produktet e tjera.

Mish i bardhë i pulës 28 mijë e 800 kg, peshk i ngrirë “Trofta” ose ekuivalent 200 kg, jogurt 140 mijë copa, keks “Petit Beurre” ose ekuivalent 590 kg, makarona ‘Divella’ ose ekuivalente 5 mijë kg,  oriz i bardhë, oriz kokërr – ekuivalent me “Dukato de Mantova” klasa II 2800 kg,  puding i gatshëm, pesha 125 gram 130 mijë copa, “Vegetë” ose ekuivalent 960 kg.

KALLXO.com, ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës përgjigje në pyetjet se për çfarë nevoja i ka bërë këto porosi dhe se a kanë  kërkuar sqarim nga AQP-ja se pse është vendosur shablloni me produkte të specifikuara. Por, deri në publikimin e artikullit Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

KALLXO.com ka siguruar qasje në kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese në tenderin për furnizim me artikuj ushqimor me numër të prokurimit UA/2016-18-9466-1-1-1.

Gjithashtu, ka mbajtur të njoftuar lexuesit me gjitha informacionet lidhur me këtë tender.

KALLXO.com ka shkruar për tenderin 23.5 milion të shpallur nga AQP-ja, për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike ishin artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

KALLXO.com, ka siguruar qasje në kërkesat e Autoriteteve Kontraktuese për furnizim në këtë tender dhe ka raportuar vazhdimisht për institucionet që kanë bërë porosi që mund t’i lexoni në këtë LINK.

 

13 Shkurt 2019 - 22:26

Amire Qamili 13/02/2019 - 22:26
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend