‘Shokët’ e dikurshëm përfundojnë nëpër gjykata

Pa kaluar një vit nga ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje, shokët e dikurshëm kanë filluar një betejë të ashpër mes tyre, betejë e cila shkon përtej politikës.

Anëtarë e drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-shokët e tyre që iu bashkuan Partisë Socialdemokrate, pas kritikave e akuzave të ndërsjella, tash e kanë zhvendosur betejën në gjykata.

Deklarata e deputetit të PSD-së, Daradan Molliqaj, se ‘shoku’ i dikurshëm, Glauk Konjufca, ka qenë pjesë e organizatës ShIK-ut, e ka shtyrë Konjufcën t’i drejtohet gjykatës.

“Meqë Glauku flet për sinqeritet e ftoj atë me marrë guximin e me kallxu qysh 1 vjet ditë ka qenë në ShIK. Unë e kam marrë vesh prej Glauk Konjufcës. Kur ka qenë Glauku në ShIK nuk ka qenë në VV. Problem është se nuk ka pasë guxim me thënë që ka punu në ShIK”, tha Molliqaj në seancën e Kuvendit të Kosovës të 2 shkurtit.

Ndërsa, Konjufca këtë deklarim të Molliqajt e konsideroi shpifje, për të cilën edhe dorëzoi padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke thënë që mezi pret përballjen me ‘shokun’ e dikurshëm.

“Ai (Molliqaj) ka thënë publikisht që unë duhet ta demantoj. Unë jo që po e demantoj, por po e padis dhe i bëj thirrje nga Pallati i Drejtësisë që t’i publikojë krejt çka ka për ShIK-un dhe krejt çka ka për mua. Kjo ftesë është publike. Mezi po pres të përballem me të në gjykatë për pretendimet e tij”, tha Konjufca.

Mirëpo Molliqaj prapë preferoi që në vend të betejës në gjykatë të vazhdohet me betejën televizive.

Në gjykata me Lëvizjen Vetëvendosje ka përfunduar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti.

Mirëpo problemin më të madh me partinë e vjetër, Shpend Ahmeti e pati në menaxhimin e Komunës së Prishtinës, të cilën e kishte fituar si kandidat i Vetëvendosjes. Përveç problemeve të shumta në 2018, situata e njëjtë e ka përcjellë edhe këtë vit, ku para pak javësh Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Polici Shpend Ahmetin.

Vetëvendosje po e akuzon Shpend Ahmetin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konflikt interesi, pasi që përmes një vendimi i ka ndarë 60 mijë euro për festivalin “Sunny Hill”.

“Kohëve të fundit, kryetari ka filluar që paranë e qytetarëve të Prishtinës, ta shpërndajë si t’i teket. Kujtojmë se kjo përveçse është e pandershme, në këtë rast, përbën edhe shkelje të rëndë të konfliktit të interesit nga kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili është edhe vetë anëtarë bordi në festivalin ‘Sunny Hill’. Pavarësisht se ai mund të deklarojë tani ndryshe, ka deklarata publike dhe gjithashtu edhe ueb faqja e OJQ-së ku janë derdhur këto mjete e ka vërtetuar këtë”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo pasoi një padi tjetër të cilën Ahmeti ia drejtoi Vetëvendosjes duke e akuzuar për shpifje dhe duke kërkuar përballje televizive me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin.

“Do të ishte mirë që kjo padi sot të shkonte prapa personit që i organizon tërë këto shpifje megjithatë ‘ai e gjun gurin dhe e mshef dorën’, prandaj sot jemi të detyruar që padinë ta bëjmë ndaj Lëvizjes VV duke marrë parasysh konferencat për media të cilat i kanë mbajt. Ai është Albin Kurti, do të ishte mirë që në debat të ballafaqohemi me të gjitha temat, të mos fshihet prapa të tjerëve”, tha Ahmeti dje pas dorëzimit të padisë.

‘Lufta’ publike po i hedh në pah keqpërdorimet zyrtare.

Agron Halitaj, gazetar, të gjitha këto ‘përplasje’ po i konsiderohen normale për skenën politike kosovare duke thënë që këto kanë edhe anën pozitive të tyre.

“I gjithë konflikti që shkaktohet brenda llojit e ka gjenezën në të kaluarën e përbashkët. Palët dinë shumë për keqpërdorimet që janë bërë, andaj duke i nxjerrë ato në publik, synojnë t’ia rrënojnë imazhin njëra-tjetrës. Në parim është mirë që ndodhë kjo, pasi qytetarët është mirë të mësojnë se çfarë shkeljesh të pozitave zyrtare janë bërë, apo deri në çfarë niveli është abuzuar me paranë publike”, tha ai.

Sipas tij, sjelljet e VV-së merren edhe si subjektive sepse pas gjitha pakënaqësive që kanë pasur qytetarët, me gjithë ato denoncime që janë bërë për keqpërdorimet në komunë, VV-ja, jo që nuk ka qëndruar indiferente, por edhe e ka mbrojtur Ahmetin.

Ndërsa Haki Abazi njohës i çështjeve politike në vend tha për KALLXO.com se qëllimi i PSD-së është që bëhet vendimmarrëse për avancimin e interesave të saja .

“Qëllimi tyre ka qenë që të marrin një parti dhe të behën faktorë vendimmarrës në Kosovë për pasurimin e tyre dhe për avancimin e interesave të grupacioneve dhe individëve. Kur e gjithë kjo ka dështuar dhe PSD është para zhdukjes, nuk ka se si te mbulojë dështimet e veta në komunën e Prishtinës dhe sidomos dallaveret e bëra me kompaninë Devolli”, tha Abazi.

Sipas tij, përfshirja e PSD-së delegacionin qeveritar duke u munduar që të paraqitet kinse si opozitë në delegacion është vetëvrasja e fundit politike që ka bërë.

Ndarja në Lëvizjen Vetëvendosje kishte filluar në fundit të vitit 2017 dhe në fillim të vitit 2018, ishte pikërisht një mesazh në biseda telefonike i deputetes Aida Dërguti, ai i cili i hapi portat që edhe shumë deputetë të largoheshin nga kjo parti, duke përfshirë edhe kryetarin e atëhershëm, Visar Ymerin.

E numri i deputetëve të dorëhequr arriti në 12-të: Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Qaushi, Besa Baftiu, Faton Topalli, Frashër Krasniqi, Shqipe Pantina.

Menjëherë pas largimit nga Lëvizja Vetëvendosje, të ‘pakënaqurit’ formuan edhe grupin e tyre parlamentar. Pas disa muajve 12 deputetët e larguar nga Lëvizja Vetëvendosje iu bashkuan Partisë Socialdemokrate të Kaqusha Jasharit, ku edhe e morën udhëheqjen e saj.