Foto: Kallxo.com

Glauk Konjufca: Mezi pres të përballem në gjykatë me Dardan Molliqajn

Dy shokët e dikurshëm të partisë mund të përballen në gjykatë nëse aprovohet një padi e dorëzuar sot në Pallatin e Drejtësisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës një padi ndaj ish-sekretarit organizativ të kësaj partie, Dardan Molliqaj, deputet në Kuvendin e Kosovës, për një deklaratë të tij të cilën Konjufca e vlerëson si shpifje.

Të shtunën e kaluar, kur e mori fjalën në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë një polemike, Molliqaj tha se Konjufca ka qenë për një vit anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), ish-organ i zbulimit i afërt me PDK që zyrtarisht pushoi së operuari në qershor të vitit 2008.

https://kallxo.com/dardan-molliqaj-glauku-ka-qene-nje-vit-ne-shik/

Një deklaratë të tillë, Molliqaj e ka përsëritur edhe në një televizion të Kosovës.

“Jam këtu për ta paditur shpifësin Dardan Molliqaj i cili ka thënë edhe në Kuvend të Kosovës, por sa për Kuvend të Kosovës ai ka imunitetin, nuk kisha pasë çka m’i ba, por sa i përket deklaratës në njërin nga televizionet tona publike se unë kam qenë punëtor i SHIK-ut dhe kam punuar për SHIK-un”, tha Konjufca të enjten në Pallatin e Drejtësisë.

“Është një shpifje e patolerueshme e cila dënohet me ligjet e Kosovës. Ky ka qenë një mashtrim për të cilin ai duhet të japë llogari”, shtoi ai.

“Ai (Molliqaj) ka thënë publikisht që unë duhet ta demantoj. Unë jo që po e demantoj, por po e padis dhe i bëj thirrje nga pallati i Drejtësisë që t’i publikojë krejt çka ka për SHIK-un dhe krejt çka ka për mua. Kjo ftesë është publike. Mezi po pres të përballem me të në gjykatë për pretendimet e tij. Unë nuk kam tjetër çka ofroj pos deklaratës së tij të shpifjes”, tha Glauk Konjufca.

Pavarësisht mungesës së bësimit në gjykatat e vendit, Konjufca shtoi se kjo lëndë i përket një kontesti civil.

https://www.youtube.com/watch?v=dhPzr4ac_gw&feature=youtu.be

“Gjykata janë të kapura por kjo është një kontest i thjeshtë civil, është e karakterit civil. Kjo është një shpifje. Ne në Parlament kemi miratuar ligj për shpifje”, tha Konjufca.

“Një person i cili thotë diçka për të cilën nuk ka argumente dhe nuk ka mbulesë, nuk ofron fakte, është shpifje, ai në Republikën e Kosovës dënohet. Dënime të tilla ka pasë plot deri tash dhe unë jam në gjendje t’I sjell më shumë se 1000 njerëz për ta argumentuar të vërtetën, ndërsa Dardani (Molliqaj) mendoj që nuk mundet me sjellë asnjë njeri në gjykatë për me e mbrojë gënjeshtrën. Bile mendoj që as familja e tij nuk do të dalë në këtë rast kundër meje”, tha Glauk Konjufca.

Dardan Molliqaj, bashkë me 11 deputetë të tjerë të VV-së që nga fillimi i vitit të kaluar kanë dalë në PSD duke formuar grup të veçantë parlamentar.

Molliqaj ka qenë i paqasshëm në përpjekjet e KALLXO.com pvr ta marrë një koment të menjëhershëm nga ai.