Aida Dërguti Dorëhiqet nga Postet Partiake në VV

Aida Dërguti ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetares së Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri dhe nga kryesia qendrore e kësaj partie.

Kjo dorëheqje vie pas publikimit të një bisede të brendshme në Viber në mes të disa anëtarëve të LVV-së në të cilën shihet se Dërguti i drejtohet me një fjalë fyese themeluesit të partisë, Albin Kurti.

Por Dërguti nuk ka thënë nëse do të larghohet edhe nga posti i anëtares së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pozitë që e mban si e deleguar nga Vetëvendosje.

Pas daljes së kësaj bisede, Dërguti kishte kërkuar falje publike, duke pohuar gjithashtu se ka probleme brenda partisë.

“Unë e di që shprehja ime ka nxitur reagime e shqetësime për natyrën e problemeve në Lëvizje. Por, shprehja ime (e papranueshme gijthsesi) duhet vënë përballë një fushate sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve që ka ndodhur tash 1 vit”, shkroi Dërguti në Facebook.

Ajo po ashtu bëri thirrje për ndaljen e atyre që i quan linçime dhe instrumentalizime të njerëzve brenda Lëvizjes.

“Po, brenda nesh ka dallime. Ky problem që në dukje të parë duket si inati personal, në fakt është dallim politik dhe ideologjik. Jo dallim karshi qëllimeve të shprehura në Program, por sidomos dallim karshi metodës. E dallimi në metodë është dallim politik pastaj. Nuk mund të arrish përmes rrugëve e metodave të ndryshme tek qëllimi i njëjtë. Metoda e fisnikëron ose e korrupton qëllimin. Ta zemë, probleme të patejkalueshme për mua janë sulmet e organizuara linçuese, dhe instrumentalizimi i njerëzve. Asnjë qëllim madhor nuk e arsyeton instrumentalizimin”, vazhdoi ajo.

KALLXO.com ka përmbledhur të gjithë atë që ndodhi pas publikimit të bisedës në Viber në media dhe rrjete sociale.

http://kallxo.com/biseda-ne-viber-qe-mund-ta-ndaje-vetevendosjen/