12 Deputetët e VV-së Kërkojnë Zyrtarisht Grup 'të Pavarur' Parlamentar

12 deputetët e dorëhequr nga Vetëvendosje, kanë bërë zyrtarisht kërkesë për të formuar Grup Parlamentar të vetin.

Më kërkesën për Grupin e Deputetëve të Pavarur, ata kërkojnë zyrtarisht shkëputjen nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

Letra e cila i është dërguar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, mban firmën e Dardan Sejdiut.

Deputetët e nënshkruar janë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Dukagjin Gorani, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Besa Baftiu, Sali Salihu dhe Shqipe Pantina.

Sipas kërkesës, kryetar i grupit të ri parlamentar do të jetë Dardan Sejdiu.

Vetëvendosje u formua si një lëvizje e rrugës duke këmbëngulur që Kosova ta përcaktojë fatin e saj vetë dhe duke kundërshtuar çdo marrëveshje ndërkombëtare për të ardhmen e vendit.

Më 12 Qershor 2005 , kur Kosova po festonte 6 vjetorin e çlirimit nga regjimi serb, një grup i të rinjve dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK.

Një ish udhëheqës i lëvizjes studentore, Albin Kurti, i cili ishte burgosur nga Serbia gjatë fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s më 1999, udhëhoqi grupin e njerëzve të cilët kishin shkruar sloganin ” Jo Negociata, Vetëvendosje” në muret e UNMIK-ut.

Fillimi i lëvizjes e cila sfidoi një sistem politik të sponsoruar dhe mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, përkoi me kohën kur ish sekretari i OKB-së emëroi një diplomat norvegjez, Kai Aide, për të parë nëse ishte koha për të ecur përpara në zgjidhjen e statusit final të Kosovës.

Pas veprimeve të shumta në rrugë, duke përfshirë shkrimet e grafiteve në mure, në shkurt të vitit 2007 Vetëvendosje kishte organizuar një protestë masive në sheshin kryesor të Prishtinës, kur i  dërguari i OKB-së për statusin përfundimtar të Kosovës, diplomati finlandez Marti Ahtisaari, paraqiti planin e tij, për të cilin lëvizja këmbënguli se nuk përmbushte pritjet.

Dy protestues u qëlluan për vdekje nga policia speciale rumune që vepronte në kuadër të UNMIK-ut.

Vetëvendosje, Nga Prishës të Rendit në Faktor Kyç Politik

Në fillim të këtij viti, organizata mbikëqyrëse e të drejtave të njeriut Amnesty International i bëri thirrje OKB-së për t’i dhënë drejtësi familjeve të dy viktimave dhe të kërkojë falje për “dështimin për të mbrojtur jetët e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit”.

Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Parlament.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të qershorit të vitit të kaluar, vetëvendosje mori 32 ulëse në Kuvend duke u bërë partia më e votuar në Kosovë, sado që mbeti në opozitë për shkak se koalicioni PDK-AAK-NISMA doli si subjekti më i votuar.

Por muajve të fundit ajo qe përfshirë në një valë të përçarjeve të brendshme të cilat rezultuan me ndarjen e grupit në dysh.

Lëvizja ‘Tektonike’ e Vetëvendosjes