Zyrtari i PDK-së: Nëse vihet në pikëpyetje miqësia me ShBA-në, nuk ka kuptim koalicioni

Sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë dhe zëvendësministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli ka thënë se PDK duhet të rishqyrtojë shume seriozisht pozicionin e saj në raport me zhvillimet e fundit politike.

Më tej ai ka shtuar se nëse miqësia me ShBA-në vihet në pikëpyetje, nuk ka kuptim koalicioni qeveritar.

“Nëse miqësia dhe përkrahja e ShBA-së vihen në pikëpyetje, më s’ka kuptim as koalicioni, as qeveria, as pushteti e as taksa”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar partnerët e koalicionit që të shqyrtojnë mundësinë për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe.

Thaçi në emisionin “Debat” në RTK ka thënë se ata që mendojnë t’i injorojnë këshillat e ShBA-së e kanë gabim.

“ShBA nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës por ata kanë këshilla ndaj politikave të gabuara të Kosovës, marrëdhënia me ShBA-në nuk mund të cenohet nga askush. Si president i ftoj partnerët e koalicionit t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë për pezullimin e përkohshëm të taksës ose reciprocitetin me Serbinë”, ka deklaruar Thaçi.

https://kallxo.com/thaci-ben-thirrje-per-pezullim-te-takses/

www.kallxo.com