Zhbogar Tregon Çka Duhet të Ndryshojë Kosova në Dialog me Serbinë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, tha sot se Kosova duhet ta ndryshojë mënyrën se si po e bën dialogun me Serbinë.

Duke folur në një konferencë në Prishtinë, Zhbogar sugjeroi që Prishtina t’i japë rol më të madh Kuvendit në këtë proces.

“Mendoj që Kosova nuk do të mund të shkojë me dialogun në mënyrë të njëjtë si deri më tani, duhet të fuqizohet roli i Kuvendit në këtë proces”, tha Zhbogar.

Komentet e diplomatit evropian u bënë në një konferencë të organizuar nga BIRN Kosova dhe Internews Kosova në të cilën është duke u publikuar raporti më i ri për ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Serbët e Kosovës frikësohen nga integrimi përveç nëse bëhet Asociacioni ndërsa shqiptarët frikësohen nga ajo që do të sjellë asociacioni”, tha Zhbogar.

Raporti i iniciativës BIG DEAL (Marrëveshja e Madhe) i titulluar “Truku i ngathtë: Pasiguri kushtetuese, jostabilitet politik dhe sundimi i ligjit në dialogun Kosovë-Serbi” shqyrton rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjeve kryesore menjëherë pas vendimit të dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për parimet e përgjithshme të Bashkësisë/Asociacionit të komunave me shumicë serbe.