Zbulimi i auditorit komuna e Klinës paguan naftën më shtrenjtë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Klinës ka blerë karburante më shtrenjtë se që ishte përcaktuar nga Agjencia Qendrore e Prokurorimit.

Komuna e Klinës kishte blerë karburante në muajin janar të vitit 2018 me çmim të muajit dhjetor 2017.

Çmimi për litër i berzës për dhjetor të vitit 2017 ishte 1.0339 euro kurse për muajin janar ishte 1.0322 euro.

Siç thotë raporti i ZKA-së për vitin 2018, te pagesa për furnizim me karburante në vlerë prej 1,241 euro, është vërejtur se nuk ishte aplikuar çmimi i berzës së muajit kur ishte bërë furnizimi.

Sipas ZKA-së, Komuna e Klinës e përdorë kontratën për furnizim me karburante të Agjencisë Qendrore të Prokurimit e cila edhe e publikon në web-faqe çmimin e berzës për secilin muaj që duhet përdorur nga AK. Si rrjedhojë ZKA thotë se çmimet e paguara mund të devijojnë nga çmimet e duhura.

Auditori ka konsideruar se kontrollet jo të duhura në procesin e verifikimit të dosjeve të përgatitura për pagesë rrisin rrezikun që komuna t’i ekspozohet rrezikut të pagesave të parregullta dhe kjo të ndikojë në dëmtimin e buxhetit.

“Kryetari duhet të siguroj që kontrollet financiare janë efikase në parandalimin e pagesave pa dëshmi relevante. Përgatitja e lëndës për pagesë duhet të procedohet për ekzekutim vetëm pasi të jenë konfirmuar dhe bashkangjitur në dosje të lëndës të gjitha informatat relevante që lidhen me pagesën përkatëse”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.