Xhamitë ligjërojnë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Kryetari i Bashkësisë Islame, Myftiu Naim Tërnava, sot ka rekomanduar që në të gjitha xhamitë e Kosovës, të ligjërohet në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në njoftimin e BIK-ut thuhet se ditë më parë, kishin organizuar edhe një konferencë për këtë temë.

Myftiu Tërnava ka kërkuar që këta të mbijetuar të mos paragjykohen sepse siç deklaroi ai, shoqëria kosovare po përballet edhe me sfidën e luftimit të stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale.

Më tej është thënë se me këtë kategori viktimash, nuk janë marrë mjaftueshëm shteti, rrethi apo familja, andaj edhe bazuar në parimet islame, dhuna seksuale është e ndaluar, me kodin e luftës si dhe me normat e të drejtat ndërkombëtare.

“Këto veprime të kryera nga forcat ushtarake serbe ndaj civilëve të pambrojtur, nuk ka dyshim se janë vepra të dënueshme, të shëmtuara, të urryera e të gjykuara nga Zoti, nga të dërguarit e Tij, nga njerëzit fisnikë e të edukuar, si dhe nga shoqëritë demokratike. Prandaj si të tilla janë dhe duhet të kategorizohen në kuadër të krimeve të luftës. Konsideroj se roli i bashkësive fetare për shkak të natyrës së plagës është primar dhe i domosdoshëm, askush sikur feja nuk mund të trajtojë plagën në bazë morale”, ka thënë Tërnava.