Komuna e Vushtrrisë - Foto: Facebook

Vushtrria Ndalon Reklamimin e Barërave në QKMF

Drejtori për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale në Komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli ka marrë vendim që të ndalohet reklamimi i kompanive private farmaceutike apo i agjentëve të marketingut të këtyre kompanive brenda QKMF-së dhe institucioneve të tjera të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e Vushtrrisë.

“Duke pasur parasysh faktin se reklamacioni i produkteve farmaceutike nga kompanitë e ndryshme, nëpër institucionet shëndetësore publike është duke u abuzuar, madje në jo pak raste në bashkëpunim edhe me profesionistët shëndetësor, sot kam marrë vendim ndalimin e aktiviteteve të tilla brenda institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor të Komunës sonë, duke u bazuar në ligjet në fuqi të cituara në vendim”, ka shkruar Meholli në Facebook.

Në këtë vendim thuhet se mos respektimi i këtij vendimi nga cilido profesionist do të pasohet me masa disiplinore.

“Shëndetësia publike është e qytetarëve dhe organizimi i saj bëhet për qytetarët. Fokusi ynë dhe i secilit profesionist në shëndetësinë publike duhet të jetë shërbimi ndaj qytetarëve dhe jo kompanive apo agjentëve të marketingut nga këto kompani”, theksohet në postimin e Mehollit.

Më poshtë e keni të bashkëngjitur vendimin e drejtorit për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale në Komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli.