Vuçiq Fiton Zgjedhjet Presidenciale Serbe

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka fituar 54.9 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit, duke siguruar një mandat pesëvjeçar si presidenti i Serbisë, njofton Centre for Transparency, Research and Accountability (CRTA).

Vuçiq ka lënë prapa dhjetë kandidatët e tjerë. Pas tij është radhitur Sasha Jankoviq me 16.2 për qind të votave.

Në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë së tij Progresive, Aleksandar Vuçiq tha se është krenar për mbështetjen e marrë dhe se rezultati i zgjedhjeve tregon se cilën rrugë do të ndjekë Serbia.

“Është e rëndësishme që fitorja ishte e pastër si loti. Unë kam fituar me 12 për qind vota më shumë se të gjithë kandidatët e tjerë së bashku”.

“Kur kemi rezultate si ky, nuk ka vend për jostabilitet – Serbia është e fortë dhe do të jetë edhe më e fortë“, shtoi Vuçiq.

Kandidati Lubisha Preletaçeviq – “Beli”, ka fituar 9.4 për qind të votave, duke dalë edhe para ish-kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiqit, i cili fitoi 5.8 për qind të votave.

Pastaj vjen në radhë lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, me 4.4 për qind të votave.

Ky rezultat bazohet në 96 për qind të votave të numëruara.

Në zgjedhjet e së dielës vlerësohet se kanë votuar 54.2 për qind e votuesve.

CESID, një OJQ që po ashtu ka monitoruar zgjedhjet, njofton se në bazë të 92 për qind të votave të numëruara, Aleksandar Vuçiq, ka fituar 55.8 për qind, Sasha Jankoviq 15.5 për qind, Lubisha Preletaçeviq – “Beli” 9.6 për qind, ndërsa Vuk Jeremiq 5.7 për qind të votave.

Gjorgje Vukoviq nga CESID tha se rezultati mund të ndryshojë për një ose dy për qind, por nuk ka dëshim se Vuçiq është presidenti i ardhshëm i Serbisë.

Sipas CRTA-së, nuk janë raportuar parregullsi të mëdha.