Rruga "Luan Haradinaj"

Vonohen Punët në Trotuaret e Prishtinës

Nga 90 ditë punë sa ishte paraparë të kryhen punimet në trotuaret në Rrugën “Luan Haradinaj”  janë kryer vetëm 30 ditë punë, bëri të ditur Ferki Dragusha nga Kompania “Jehona ShPK Malishevë”që është kontraktuar për kryerjen e këtyre punimeve

Dragusha tha se për shkak të disa probleme ve që kanë dalë nga ana e Komunës së Prishtinës, punët nuk kanë arritur të përfundojnë.

“Ka pasur punë që nuk i ka paraparë komuna, si vendosja e gypave të ujësjellësit nga kompania e ujësjellësit dhe instalimet e kabllovikëve. Ne ia kemi filluar punës tonë, ata i kanë hapë përsëri kanalet për mi vendos gypat e pusetave,” tha Dragusha.

Rruga "Luan Haradinaj"
Rruga “Luan Haradinaj”

Dhurata Ramadani zyrtare në Komunën e Prishtinës tha që afati i këtyre punimeve ka qenë 90 ditë dhe se ka qenë i nevojshëm ndërrimi i trotuareve të vjetër.

“Trotuaret e vjetër në Rrugën ‘Luan Haradinaj’ kanë qenë të dëmtuar pjesërisht. Këto trotuare do të jenë me pllaka të veçanta  dyshtresore me cilësi të lartë,” tha Ramadani.

Ajo gjithashtu shtoi se trotuaret e reja për këmbësorë do të kenë shirit të veçantë për njerëzit e verbër.

Qytetarët dhe pronarët e lokaleve nuk deshën të flasin me emra për KALLXO.com në lidhje me këto trotuare, por në kushte anonimiteti u ankuan se mosrregullimi i tyre po i pengon në qarkullim dhe zhvillim të bizneseve.

Projekti “Rikonstruimi i Rrugës  “Luan Haradinaj” ka vlerën 399,081.50 euro.

Rruga "Luan Haradinaj"
Rruga “Luan Haradinaj”