VIDEO: Studentët kërkojnë që të ndalen ofendimet nga profesorët

Senatorja e Fakultetit të Mjekësisë, Myrvete Paçarada, në mbledhjen e kaluar të Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë diskutimeve për rastin e avancimit të kandidatit Art Shala në Fakultetin Ekonomik, i kishte kërkuar senatorit student Arben Elshani që “ta dijë vendin e vet”.

Ky reagim i Paçaradës kishte ardhur pasi Elshani kishte përmendur lidhjen familjare të këtij kandidati.

Ndërkohë, sot disa përfaqësues të studentëve ndërprenë mbledhjen e Senatit duke kërkuar nga senatorët profesorë solidarizimin me ta për shkak të ofendimit që i ishte bërë kolegut të tyre në mbledhjen e kaluar.

Përfaqësuesi i studentëve Edison Bibaj ka thënë për KALLXO.com se studentët ishin revoltuar pasi kishin dëgjuar fjalët me të cilat profesoresha Myrvete Paçarada i ishte drejtuar kolegut të tyre.

“Studentët e kanë përcjellë mbledhjen e Senatit live edhe papajtueshmëria e tyre ishte tej mase dhe ne si përfaqësues të studentëve jemi të përzgjedhur me e përçu zërin e tyre. Zëri i tyre ke që sot mbledhja e Senatit mos të mbahet”, ka thënë Bibaj.

Pavarësisht se të gjithë senatorët dhe menaxhmenti i UP-së u larguan nga kjo mbledhje, senatori i Fakultetit Ekonomik, Liridon Veliu nuk e liroi sallën me arsyetimin se nuk pajtohej me formën e organizimit të studentëve.

“Këta u thirrën se Senati ma herët ka bërë revolta para një agresioni mirëpo ai agresion i njëjtë e ka ndërpre këtë sallë, njëjtë si ka lënë me mbajt mbledhje kështu, pse këtë formë të organizimit”, deklaroi senatori.

E për veprimin e këtij senatori, përfaqësuesi i studentëve tha se ky gjest “le të mbetet në ndërgjegjen e tij”.

Studenti Edison Bibaj gjithashtu kërkoi që rasti i kësaj profesoreshe të dërgohet në Komision Disiplinor dhe të shënohet si rasti i fundit i një sjellje të tillë nga një profesor ndaj një studenti.

“Senatori i Ekonomikut që nuk e liroi sallën ra në kundërshtim me statutin, përderisa përmendi se u fol dy  minuta serbisht. Statuti i Universitetit nuk bën dallime race, gjinie, identiteti edhe është e drejtë e tyre. Është universitet i çdo banori të Kosovës”, përfundoi studenti.

Vetë senatori student Arben Elshani, i cili ishte arsyeja e kësaj proteste të studentëve, tha për KALLXO.com se pas mbledhjes së kaluar kishte pranuar kritika të ndryshme nga kolegët studentë për mosreagimin ndaj kësaj profesoreshe.

“Në momentin që kam dalë prej senatit kam pasur kritika pse nuk keni reaguar në mënyra të ndryshme, por ia ka qenë interpretimi im edhe unë në shenjë falënderimi i kam kërkuar profesoreshës që ajo me e pa vetë se çka ka bo. Arsyeja e këtyre fyerjeve që po bëhen është thjeshtë me i kalu këto shkeljet ligjore që po i bëjnë në këtë senat”, ka thënë Elshani.

Senatori student Arben Elshani në mbledhjen e kaluar të Senatit kishte marrë fjalën për të treguar se kandidati Art Shala nuk duhet të avancohej për shkak të favorizimeve familjare.

“Kandidati Art Shala në Fakultetin Ekonomik, duke e ditur që nuk ka recensione pozitive dhe po bëhet shkelje e Statutit pika 173, paragrafi1.6. Zgjedhja e tyre në mënyrë të favorizimit familjar d.m.th. para pak javësh ne si Senat e kemi zgjedhur motrën e tij në Fakultetin Juridik kështu që mos të bëhet universiteti favorizim i familjarëve”, tha studenti.

Ndërkaq, senatorja e Fakultetit të Mjekësisë Myrvete Paçarada i ishte drejtuar senatorit student duke i thënë se “studenti duhet m’e ditë vendin e vet”.

“Nuk më pëlqeu diskutimi i studentit, ju paska zgjedhë motra në Juridik, e ky koka në Ekonomik. Na në Mjekësi kemi babë e bir, e nanë e babë e ku di unë, e po më doket budallaki”, kishte deklaruar ajo.

Pas deklaratës së kësaj profesoreshe, studenti Arben Elshani kishte thënë se studentët e kanë vendin e vetë në Senat dhe se duhet diskutuar për këto çështje baras me senatorët profesorë.

https://kallxo.com/studentet-nderpresin-mbledhjen-e-senatit-te-up-se/

https://kallxo.com/senatoret-studente-kerkojne-te-mos-behen-avancime-ne-up-me-baze-ne-favorizime-familjare/

www.kallxo.com