VIDEO: Përplasja e rusëve dhe britanikëve për Aeroportin e Prishtinës

Në ditë e para të çlirimit të Kosovës bota ishte buzë një lufte me përmasa të gjera.

Kjo për shkak se pas marrëveshjes ushtarake-teknike të Kumanovës, të 9 qershorit 1999, e cila i jepte fund bombardimeve të NATO-s dhe parashikonte tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova, një njësi ushtarësh rusë ishin futur në Kosovë pa lejen e KFOR-it, duke u pozicionuar në pjesë të ndryshme të territorit nga i cili po largohej makineria ushtarake dhe administrata serbe.

Tashmë janë të njohura urdhrat e atëherë komandantit suprem të NATO-s, gjeneralit Wesley Clark, që forcat e KFOR-it të përdornin edhe armët kundër forcave ruse nëse ato nuk do të ndaleshin.

Sipas dëshmive të protagonistëve të ngjarjes, komandanti i parë i KFOR-it, gjenerali britanik Mike Jacson kishte refuzuar këtë urdhër, me arsyetimin se: “Nuk dua ta nisë Luftën e Tretë Botërore”.

Tash, 20 vjet pas atyre ngjarjeve, televizione të ndryshme ndërkombëtare po publikojnë pamje të ndryshme për zhvillimet e asaj kohe.

Ditëve të fundit është publikuar edhe një video, ku shihet një situatë e tensionuar mes ushtarëve britanikë dhe atyre rusë.

Forcat ruse kishin zënë me autoblinda rrugën që çonte te Aeroporti i Prishtinës dhe nuk i lejonin forcat britanike të shkonin tutje me tank dhe automjete të tjera ushtarake.

Në këto pamje shihen se ushtarët britanikë përpiqen të negociojnë lirimin e rrugës, e cila, sipas pamjeve nuk arrihet.

Duhet theksuar se forcat ruse kishin zënë disa pika kyçe në atë kohë në Kosovë, para se të largoheshin plotësisht disa vite më vonë.

Kosova ka shënuar dje 20 vjetorin e çlirimit.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar në nderim të 12 Qershorit, ditës kur hynë forcat e NATO-s në Kosovë, kanë marrë pjesë edhe njerëzit vendimtarë që ndihmuan në çlirimin e Kosovës: ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark.

Në 20 vjetorin e çlirimit, Kosova nderoi miqtë që e shpëtuan

www,kallxo.com