Isa Mustafa

Mustafa për ceremoninë e 20 vjetorit të çlirimit: Nuk më ka ardhë ftesa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka thënë se nuk kishte pranuar festë për ceremoninë e djeshme me rastin e shënimit te njëzetvjetorit të çlirimit të vendit.

Mustafa ka sqaruar së selinë e LDK-së, kanë ardhur ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve të LDK-së e jo tjetër.

“Nuk mund ta di se si ka vepruar Protokolli i Shtetit, a më ka pasur në listë apo jo, si kryetar të LDK-së, shef të opozitës, partisë më të madhe opozitare sot dhe partisë shtetëformuese gjatë tridhjetë viteve sa ekziston ajo, apo si Kryeministër i qeverisë së kaluar”, ka shkruar i pari i LDK-së në rrjetin social ‘Facebook’.

Shefi i Protokollit të Shtetit, Orhan Hajrizi, më herët gjatë ditës tha për KALLXO.com se edhe Isa Mustafa, edhe lideri tjetër opozitar Albin Kurti, kanë qenë të ftuar në ceremoni.

https://kallxo.com/protokolli-i-shtetit-mustafa-e-kurti-ishin-te-ftuar-ne-tubimin-qendror-per-20-vjetorin-e-clirimit/

Por Mustafa tha se çlirimi sikurse edhe pavarësia nuk janë pronë e askujt, janë e arritur, mburrje dhe pasuri e çdonjërit nga ta.

“Nuk ka datë më të rëndësishme për çdonjërin nga ne se ajo e çlirimit të Kosovës. Prandaj pjesëmarrja ime ose e njërit nga nënkryetarët e LDK-së, për arsye të shkaqeve të mia shëndetësore, do të ishte e padiskutueshme”, ka shkruar ai.

Ai është krenuar që ceremonia është mbajtur pranë monumentit të Skënderbeut pasi që ishte ngritur kur e udhëheqte LDK.

“Fundja, edhe pse nuk kisha ftesë të marr pjesë në këtë ceremoni, ndjehem krenar se ajo u mbajt në Sheshin Skënderbeu të qytetit tim, të cilin aq me përkushtim e ndërtuam sa unë dhe LDK drejtonim Prishtinën, dhe pran monumentit të Skënderbeut që, poashtu, e ngritëm pas çlirimit me para të mbledhura nga bashkatdhetarët tanë, kur ishim si qeveri në egzil e LDK-së. Dhe, se në këtë solemnitet ishin miqtë tanë, heronjë të çlirimit të Kosovës”, ka shkruar ai.

KALLXO.com ka raportuar dje live nga ceremonia e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.