Misteri pse Edi Rama e Ilir Meta nuk folën në ditën e çlirimit

Ceremonia e festimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës solli në Kosovë dy njerëzit më të fuqishëm të asaj kohë, të cilët në Kosovë shihen si heronj.

Ish presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish sekretarja Madeleine Albright vizituan Prishtinën në 20 vjetorin e luftës.

Që të dy iu drejtuan qytetarëve të Kosovës nga sheshi “Skënderbeu” duke ndarë kujtime të para 20 viteve kur qytetarët kishin filluar të kthehen të lirë në shtëpitë e tyre.

Përveç, Clinton e Albright, në këtë manifestim pati edhe mysafirë të tjerë. Njëri nga ta ishte edhe zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama e të tjerë.

Mirëpo jo të gjithë u ndanë të kënaqur nga kjo ceremoni.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme që kryeministri Rama ishte nervozuar me vendin ku protokolli shtetëror ia kisha caktuar të ulej si dhe me faktin që nuk do të fliste para të pranishmëve. Rama kishte ardhur në këtë manifestim me idenë se mund të mbante edhe fjalim, gjë që së bëri.

https://kallxo.com/edi-rama-i-pakenaqur-ne-ceremonine-e-20-vjetorit-te-clirimit-te-kosoves/

Të pranishmëve iu drejtuan me fjalime, krerët e hierarkisë shtetërore të Kosovës, Presidenti Clinton, ish sekretarja, Albright dhe zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer.

Në publik, u diskutua fakti që asnjëri nga krerët e shtetit shqiptar nuk mbajti fjalim, duke përmendur ndihmën e madhe që ishte dhënë nga Shqipëria gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Madje, vërejtje kishte dhënë edhe këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Blerim Latifi shkroi dje se është bërë gabim që nuk iu është dhënë fjala asnjërit nga mysafirët e Shqipërisë.

“Ne po harrojmë se pa Shqipërinë asnjë plumb s’do të kishim mundur ta shkrepim, e lëre ma të organizojmë luftën e armatosur kundër Serbisë”, kishte shkruar Latifi në Facebook.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të kontaktoj përmes telefonit me zyrtarë shtetëror që kanë qenë pjesë e këshillit organizativ të ceremonisë së 20 vjetorit të çlirimit, por ata nuk kanë pranuar ta komentojnë faktin se pse nuk iu është dhënë fjala përfaqësuesve të Shqipërisë.

KALLXO.com u ka dërguar pyetje në adresën e këshillit organizativ dhe jemi në pritje të përgjigjeve.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi tha për KALLXO.com se folësit në ceremoni ka qenë të shpërndarë.

Tutje, Gashi ka treguar se për çfarë arsye janë zgjedhur të flasin 6 personat që mbajtën fjalim dje.

“Megjithëse organizimin e ceremonisë e ka bërë Këshilli që është udhëhequr nga presidentja Jahjgaga dhe zyra e presidentit, me rastin e ceremonisë shtetërore të djeshme në shesh dhe në ceremonitë e tjera solemne, folësit janë shpërndarë. I’u është ndarë fjala personaliteteve të cilët kanë rol funksional në hierarkinë shtetërore, Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari si dhe personaliteteve që kanë dhënë kontribut në kohën e çlirimit, siç janë Clinton e Albright. Ndërsa z.Palmer për shkak të rëndësisë dhe rolit kyç të SHBA-së në Kosovë”, tha zëdhënësja Gashi për KALLXO.com

Ajo nuk ka pranuar të komentoj faktin se për çfarë arsye nuk iu është dhënë fjala përfaqësuesve të shtetit të Shqipërisë, duke kërkuar që për detaje të tjerë të kontaktohet këshilli organizativ.

Këtë këshill organizativ e ka udhëhequr ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në këtë manifestim, nuk u panë as dy liderët e opozitës, Isa Mustafa dhe Albin Kurti.

Mirëpo, protokolli shtetëror kishte deklaruar sot gjatë ditës për KALLXO.com se ftesa u kishte shkuar dyve.

Mirëpo, disa orë më vonë kishte reaguar vet Isa Mustafa duke thënë se nuk ka pasur asnjë ftesë për këtë manifestim.

Para këtij mandati, Isa Mustafa kishte qenë kryeministër i Kosovës për 2 vite e gjysmë.

https://kallxo.com/mustafa-per-ceremonine-e-20-vjetorit-te-clirimit-nuk-me-ka-ardhe-ftesa/