VIDEO: Pamje të Reja të Aeroplanëve në Preshevë

KALLXO.com ka siguruar edhe disa video të tjera të fluturimeve të aeroplanëve të Ushtrisë Serbe mbi qiellin e Preshevës.

Fluturimet të cilat janë kryer në distanca të ulëta dhe në dy itinerare kohore kanë shqetësuar banorët e zonës dhe kanë ngjallur reagimin e kryetarit të Preshevës.

Në një deklaratë ekskluzive për BIRN, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, kapiteni Jovan Krivokapiq ka sqaruar fluturimet të cilat ndodhën sot mbi qiellin e Preshevës.

Ai ka thënë se fluturimet janë pjesë e stërvitjeve ushtarake që janë planifikuar në këtë zonë dhe që do vazhdojnë edhe nesër në Serbinë qendrore.

“Aeroplanët janë duke fluturuar ashtu siç duhet”, ka thënë Krivokapiq, duke shtuar se nuk ka arsye për panik në popullatën lokale.

I pyetur nëse aeroplanët kanë fluturuar  mbi atë zonë nga përfundimi i luftës në Kosovë nuk ka dhënë përgjigje por ka thënë se “Presheva dhe Kosova janë pjesë e Serbisë”.

Në një deklaratë në rrjetet sociale kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi ka thënë se autoritetet lokale nuk ishin njoftuar për këtë stërvitje duke thënë se fluturimet kanë shqetësuar qytetarët.

“Me indinjatë të thellë konstatojmë se veprimet e tilla shtojnë pasigurinë dhe ankthin tek shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka shkruar Arifi.

Fluturimet mbi Preshevë ndodhën sot në mesditë ndërsa u kryen vetëm dy ditë pasi në Kosovë pati një aksion për arrestimin e Mako Gjuriqit, zyrtar i lartë i Qeverisë së Serbisë.